Telegrafi

Krasniqi: Mospajtimet dhe diferencat nuk e përçajnë opozitën e bashkuar

Kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nisma për Kosovën”, Jakup Krasniqi, në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjinit, ka theksuar se gazi lotsjellës ka qenë i domosdoshëm për t’i ndaluar dy marrëveshjet e dëmshme për Kosovën (demarkacionin dhe Asociacionin).

Ai ka folur edhe për dallimet që ekzistojnë në mes partive të bllokut opozitar, rreth asaj se a duhet të bojkotohet Kuvendi i Kosovës ose jo, duke thënë se kemi të bëjmë më tri parti të cilat kanë programe dhe identitete të ndryshime politike, transmeton Telegrafi.

“Unë konsideroj se ky debat i bën mirë opozitës së bashkuar. Konsideroj se debate në shoqërinë tonë është mjaft i kufizuar. Debate për mënyrën se si duhet të veprojnë partitë politike, duhet të ketë edhe brenda vetë subjekteve politike, të ketë përkrahës dhe kundërshtar të ideve. Mospajtimet dhe diferencat nuk janë çështje që e përçajnë opozitën e bashkuar”, ka theksuar Kransiqi.

Ai ka folur edhe për ndryshimin e qëndrimit të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në momentin kur votohej për kandidaturën e Hashim Thaçit president, duke theksuar se “njeriu duhet të ketë një interes të madh personal për ta ndryshuar qëndrimin aq shpejt”.

Ai ka shtuar se e vlerëson shumë qëndrimin e deputetëve të LDK-së, të cilët nuk kanë qëndruar në sallë ditën e votimit të presidentit. /Telegrafi/