Pas mos anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, Jakup Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate ka thënë se mos pranimi i Kosovës në këtë organizatë, është një dështim i shtetit në përgjithësi dhe i diplomacisë të paaftë.
Krasniqi, në një shkrim të tij theksoi se kjo është një disfatë e shteteve me të cilat Kosova e ka koordinuar pavarësinë si dhe e Bashkimit Evropian (BE), e cila në gjirin e saj ka shtete që nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e proklamuara evropiane.
Sipas tij, çdo shenjë dobësie e ngutje e shfaqur nga Kosova, do të jetë fitore për Serbinë.
Lexoni më poshtë shkrimin e plotë të Jakup Krasniqit:
“Nuk ka asnjë dyshim, mos pranimi i Kosovës në Interpol është një dështim i shtetit tonë në përgjithësi dhe i diplomacisë sonë të paaftë e të pagjak në veçanti. Kjo gjithashtu është në një formë një disfatë edhe e shteteve më të cilat Kosova e ka koordinuar pavarësinë, pastaj është disfatë edhe për BE-në e cila në gjirin e saj ka shtete që nuk kanë asgjë të përbashkët më vlerat e proklamuara evropiane, siç janë të drejtat e liritë e njeriut, shtete që edhe në një formë janë mbështetëse të politikave të gjenocidit që i ka ndjekur politika e Millosheviqit dhe që vazhdon t’i ndjekë politika zyrtare e Beogradit edhe sot e gjithë ditën. Pasi edhe këta të sotshmit ishin eksponentë të asaj politike.
E sa për shtetet si Izraeli dhe vende të botës arabe të gjirit dhe të Magrebit, të botës islame aziatike (të Azisë Qendrore e ato të arkipelagut – Malajzi e Indonezi), mbase edhe nuk habitëm pasi që të gjitha që votuan kundër, jo vetëm që nuk shquhen për vlera njerëzore e demokratike, për liri e të drejta njerëzore, por janë të njohura për despotizëm e tirani, për krim e gjenocid për të gjithë ata që nuk janë e nuk mendojnë si ata, tiranet, despotet e pashpirt të asaj bote. Ajo botë e ka “kulturë”, mbase e ka në gjak, gënjeshtrën, mashtrimin e korrupsionin. Nuk ka më lehtë për Serbinë se sa për të korruptuar atë botë grykëse e mjerane. E vetmja gjë që me habiti janë disa vende si Japonia etj., që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe abstenuan! Kjo pa dyshim që është paaftësi e diplomacisë sonë për t’i bindur shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës! Pa marrë parasysh këto që u thanë, institucionet e Kosovës duhet ta nxjerrin nga ky pësim një mësim të mirë. Janë të detyruara ta nxjerrin mësimin se: a ia vlen të vazhdohen bisedimet e Brukselit me Serbinë e pa penduar për gjenocidin që ka ushtruar në Kosovë? Të analizojnë në mënyrë të gjithanshme se a ia vlen që mallrave serbe tu lihen hapur të gjitha dyert e Kosovës, që pastaj Serbia t’i nxjerr miliardat nga parat tona, pastaj i shfrytëzon për të lobuar e korruptuar shtete kundër vendit tonë kudo që i epet rasti, siç ishte edhe rasti i fundit për anëtarësimin në Interpol.
Dhe ky rast nuk është i vetmuar! Gjithashtu edhe çështja e dialogut duhet të rishikohet se a duhet biseduar pa fund më një shtet që nuk ka dhënë asnjë shenjë të gatishmërisë as për pendim se jo më për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore. Mbase është momenti i duhur që në mbledhjen e dy qeverive shqiptare në Pejë në prag të Nëntorit Kombëtar të bisedojnë më seriozisht se kurrë më parë për Sigurinë Kombëtare se paku për dy dekadat e ardhshme. E kanë ketë përgjegjësi, përgjegjësin për Siguri Kombëtare! Shkurt, Kosova nuk duhet ngutur e as shfaqur asnjë shenjë dobësie ose të ndonjë interesimi individualisht për të vazhduar dialogun në Bruksel, derisa politika zyrtare serbe e ka ketë nivel të lartë armiqësisë ndaj Kosovës e shqiptarëve. Ndërsa masat ndaluese për mallrat serbe duhet ashpërsuar deri në maksimum.
Çdo shenjë dobësie e ngutje e shfaqur nga ana e jonë, do të jetë fitore për Serbinë armike. Dhe kjo nuk guxon të ndodhë! Pala e jonë duhet të heq dorë nga gatishmëria e deritashme për të arritur marrëveshje të shpejtë me Serbinë. Për ketë çështje duhet të arrihet një konsensus nacional dhe pastaj për ketë vendim duhet të njoftohen të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e veçmas SHBA dhe BE-ja! Përkundër kësaj, institucionet tona, secili prej tyre duhet t’i marrin përgjegjësit që kanë deri edhe në dorëheqje! Në politikë edhe në atë të interesit duhet që të ketë pak moral! Ajo që u pa dhe u tregua në votimin e Interpolit është se politika nuk është biznes, politika është art tjetër!
Nuk mund të them e as besoj se politika e jonë i ka kapacitetet e duhura për të nxjerrë mësimin e duhur. Nuk ka dyshim, jo vetëm diplomacisë sonë, por gjithë institucioneve të shtetit i duhen energji e koordinim politik si i djelmoshave të kombëtares sonë që e treguan në futboll në dy ndeshjet e fundit! ! Kosovës i duhet shumë suksesi në fushën politike, por kjo do të jetë e mundur vetëm me një ekip tjetër politik! Në fund falënderimi im shkon për djelmoshat e futbollit! Suksese”. /Telegrafi/