43 pacientë të infektuar me virusin COVID-19 janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së. Katër prej tyre priten të lirohen sot, pasi që të dy testet kanë rezultuar negative, që do të thotë se janë shëruar plotësisht, ndërsa 6 prej tyre janë në gjendje më të rënduar.
Kështu ka bërë të ditur infektologu, Valbon Krasniqi, i cili tha se një grua e moshuar tashmë gjendet në kujdesin intensiv dhe se gjendja e saj është shumë e rëndë.
“Në momentin aktual kemi 43 pacientë të konfirmuar që janë të shtrirë në Klinikën Infektive megjithatë 4 nga ta do të lirohen sot, ju e dini tashmë që kanë rezultuar të shëruar plotësisht kimikisht dhe laboratorikisht. Në fakt janë pesë të shëruar, por njëri nga pacientët për shkak se ka ende familjar pozitiv mund të qëndroi edhe ndonjë ditë më shumë derisa të shërohet edhe familjari tjetër. Pra 43 janë, katër që do të lirohen, do mbesin 39. Gjendja e tyre shëndetësore e shumicës është e mirë, me përjashtim të 6 prej tyre që janë në gjendje më të rëndë pak për faktin se krahas terapisë së rregullt duhet të marrin edhe oksigjeno-terapi. Ndërkohë që një paciente e moshuar e gjinisë femër është duke marr shërbimet në kujdesin intensiv të Klinikës Infektive dhe gjendja e saj është shumë e rëndë dhe që nga orët e pasdites së djeshme është dashur të futet edhe në respirator”, tha Krasniqi për KosovaPress.
Në këtë klinikë janë infektuar edhe tri infermierë, gjendja e të cilave sipas Krasniqit është stabile dhe se njëra prej tyre është liruar për trajtim në shtëpi.
“Gjendja e tri infermiereve të Klinikës sonë është e mirë, një prej tyre është në shtëpi dhe është gjendja e mirë edhe dy të tjerat që janë në klinik po ashtu gjendja shëndetësore është e mirë për momentin”, theksoi infektologu.
Krasniqi thotë se sipas parashikimeve edhe të ekspertëve ndërkombëtarë, java e dytë e prillit pritet të shënojë kulmin e kësaj pandemie. Andaj paralajmëron rritje të numrit ttë të infektuarve edhe në vendin tonë.
Apeloi te të gjithë qytetarët që të shmangin kontaktet dhe të respektojnë në përpikëri rekomandimet e OBSh-së dhe institucioneve tjera shëndetësore, por edhe qeveritare.
“Java e dytë e muajit prill mund të shënohet numri më i madh i rasteve në nivel Kosovë, megjithatë kjo varet nga disa faktorë. Në radhë të parë varet nga disiplina e qytetarëve, sa i kanë zbatuar ata rregullat për të qëndruar në shtëpi dhe për të shmangur kontaktet dhe po ashtu varet edhe nga numri i testeve që bëhen në terren. Për shkak se nëse bëhet një numër më i madh i testeve tek familjarët e kontaktit sigurisht që mund të kemi rritje të numrit”, deklaroi ai.
Krasniqi tha se për të gjithë pacientët po përdorin një kombinim të hidroksolokinës me azotromicinë dhe se për momentin janë të furnizuar mirë me këto barna.
“Kombinim të hidroksolokinës me azotromicinë dhe për momentin jemi të furnizuar mirë me këto barna. Me hidroksolekinë jemi jashtëzakonisht mirë të furnizuar me azotromicinë presim që të furnizohemi me një sasi më të madhe gjatë ditëve në vijim. Për momentin kemi edhe azotromicinë por kemi nevojë për furnizim të vazhdueshëm…Deri tani kemi qenë relativisht mirë të pajisur kemi sasi relativisht mirë, por edhe furnizimi me këto pajisje nevojitet të jetë i vazhdueshëm dhe i rregullt pë r faktin se numri i pacientëve po rritet nga dita në ditë dhe normalisht është material shpenzues. Sidoqoftë deri në këto momente kemi pasur sasi të mjaftueshme ndërsa krahas posedimit të këtyre pajisjeve i gjithë stafi i Klinikës Infektive është i trajnuar për përdorimin e tyre”, u shpreh Krasniqi.
Deri më tani në Kosovë me virusin COVID-19 janë shënuar gjithsej 112 raste ndërsa njëri prej tyre ka vdekur. /KP/