Site icon Telegrafi

Krasniqi: Lista Serbe po bllokon miratimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe atë të festave zyrtare

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka akuzuar Listën Serbe se po bllokon miratimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe Ligjin për festat zyrtare.

Krasniqi në një konferencë për media tha se Lista Serbe nuk ka ndonjë arsye specifike pse nuk po e voton Ligjin për vetëqeverisje lokale, porse shpreson ta gjejnë gjuhën e përbashkët shumë shpejt.

“Ligji për vetëqeverisje lokale është kryer dhe është dorëzuar në afat në Kuvend. Por ky ligj bën pjesë në ligjet vitale dhe na duhet edhe vota e komuniteteve. Fatkeqësisht, përfaqësuesit e Listës Serbe nuk duan ta votojnë. Lista Serbe nuk ka asnjë kërkesë specifike për ligjin, por thjesht nuk marrin pjesë në seancë kur votohet. Shpresojmë që në ditët në vijim të gjejmë një gjuhë të përbashkët”, tha Krasniqi.

Ai tregoi ndryshimet në ligjin e propozuar, që përcaktojnë tri situata kur mund të shpërndahet kuvendi komunal.

“Kemi shtuar disa elementë të rëndësishëm në këtë ligj. Kuvendi Komunal mund të shpërndahet në tri situata, dhe jo dy sa ishte deri tash. Kur s’mund ta zgjedhë kryesuesin, kur nuk mund ta votojë buxhetin dhe në situatën kur nuk plotëson obligimet ligjore kushtetuese”, tha ai.

Sa i përket Ligjit për festat zyrtare, ministri Krasniqi tha se me ndryshimet që do të bëhen nuk do të ketë obligim që festat zyrtare që bien gjatë fundjavës të zëvendësohen me ditë të pushimit.

“Të dy këto ligje janë ligje vitale që na duhet vota e komuniteteve dhe këtu mund të them që vetëm Lista Serbe janë ata që nuk e mbështesin këtë ndryshim demokratik në këto dy ligje”, tha Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version