Site icon Telegrafi

Krasniqi, Kurtit: Hiqni barrikadat, ato janë kthyer në ‘punkte’ të Vuçiqit si tentim për ndarjen e Kosovës

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka bërë sërish thirrje Qeverisë së Kosovës që të jetë vigjilente dhe të reagojë sa më shpejtë për të hequr barrikadat.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai theksoi se për heqjen e barrikafldave, Qeveria e ka mbështetjen e tij të plotë.

“Në ditën e 17 të vendosjes së barrikadave në pjesën veriore të Kosovës, Kryeministri Kurti realizoi edhe një takim me KFOR-in. Mbajti edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Dhe cili është rezultati? Barrikadat mbesin, shpërthimet në pjesën veriore vazhdojnë, sulmet ndaj gazetarëve vijnë e shtohen, jeta e qytetarëve po rrezikohet, tentimi për të krijuar një realitet të ri po avancon e shqiptarët po largohen çdo ditë nga ajo pjesë e vendit tonë”, tha Krasniqi.

Sipas tij, Qeveria duhet të jetë vigjilente dhe të reagojë sa më shpejtë për të hequr barrikadat të cilat thotë se janë kthyer në punkte të Vuçiqit, si tentim për ndarjen e Kosovës.

“KFOR-i ka bërë një punë të mirë deri më tani për të ruajtur paqen, për çka u jemi falënderues, mirëpo, heqja e barrikadave është para së gjithash përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës. Gjithsesi, në këto tri javë, dy gjëra janë të sigurta:

E para, barrikadat i kanë vendosur grupet kriminale të orkestruara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me qëllim destabilizimin dhe nënshtrimin e Kosovës.

E dyta, në inkurajimin e këtyre grupeve dhe krijimin e një realiteti të ri atje, po ndikon tej mase heshtja dhe mosveprimi i Qeverisë.

Prandaj, siç kam bërë gjatë gjithë kësaj kohe, disa herë, po e bëj këtë thirrje përsëri sonte, uroj për herë të fundit:

Reagoni! Hiqni barrikadat! Çdo minutë që po kalon, po rrezikon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Qytetarët kanë votuar për Qeveri që e qeverisë krejt Kosovën e jo vetëm deri te Ura e Ibrit. Andaj, mos u zbrapsni se do të ju mbështesim të gjithë”, shkroi Krasniqi./Telegrafi/

Exit mobile version