Deputeti i PSD-së në Kuvendin e Kosovës, Frashër Krasniqi ka thënë se ka zëra që presidenti Hashim Thaçi ka urdhëruar PDK-në të tërhiqet nga mbështetja e rezolutës së propozuar nga PSD.
“Projektligji ka qenë i harmonizuar nga të gjitha subjektet politike të pranishme përfshirë edhe PDK-në. Është caktuar që të votohet brenda asaj dite, por më pas PDK-ja është tërhequr. Kanë qarkulluar pastaj llafe se Thaçi ka kërkuar nga PDK-ja të tërhiqen”, tha Krasniqi në “Dossier D” me Fidan Ramën në RTV Dukagjini.
Ai ka thënë se për opozitën është më mirë të përfshihet në procesin e dialogut përderisa ata nuk i kanë numrat e nevojshëm për rrëzimin e kësaj qeverie.
Deputeti i PSD-së ka thënë se gjatë një mbledhje në Kuvendin e Kosovës, Kujtim Shala nga LDK dhe Glauk Konjufca nga Vetëvendosje e kanë pëlqyer rezolutën e propozuar nga PSD-ja për dialogun me Serbinë, por më pas nuk e di pse nuk e mbështesin.
“Nuk e di a është çështje inatesh a diçka tjetër, por ata e kanë konsideruar si të mirë atë rezolutë duke thënë se kjo e kufizon Thaçin…Për momentin hezitim për rezolutën tonë kanë vetëm LDK, Vetëvendosje dhe PDK”.
Duke folur për fillimin e dërgimit të ftesave nga Gjykata Speciale, Krasniqi ka thënë se janë kundër hetimit të krimeve nga organe të jashtme, këtë gjë duhet ta bëjnë vendorët.
“Ne jemi për zbardhjen e të gjitha krimeve të luftës që janë kryer në Kosovë, ndaj shqiptarëve, serbëve, romëve e gjithë tjerëve. Por, këto hetime të bëhen nga vet Kosova e jo nga një institucion i jashtëm”, deklaroi ndër të tjera Frashër Krasniqi./Telegrafi/