Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, lidhur me vendosjen e Vettingut në Kosovë.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Veseli jo rastësisht ka bërë këtë kërkesë pasi sipas tij është i vetëdijshëm që qeveria e PAN, nuk ka jetëgjatësi më shumë se një apo dy vite”.
Postimi i plotë i Krasniqit:
“Jo rastësisht Kadri Veseli si prioritet absolut e paska vendosur procesin e vettingut.
Ai është shumë i vetëdijshëm që qeveria e PAN nuk ka jetëgjatësi më shumë se 1-2 vite. Prandaj po do që ta bëjë një proces sipërfaqësor vettingu, në mënyrë që të pastrojë pasurinë e pajustifikueshme dhe kriminale të tij dhe të Klanit Pronto, para se të largohen nga pushteti.
Pra, mund të themi që kjo do të jetë qeveri e fshehjes së krimit. Prandaj insistuan me çdo kusht që të mbeten edhe pak në pushtet.
E megjithatë krimet nuk do të mund t’i fshehin. Gjithçka do të zbardhet nën qeverisjen e VV që do të vijë shumë shpejt”, ka shkruar Krasniqi. /Telegrafi/