Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovë, Jakup Krasniqi, shprehet kategorik kundër heqjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe. Madje, sipas tij, kjo taksë është e vonuar dhe se në drejtim të politikës agresive të Serbisë, Kosova duhet të vendos masa tjera, si dhe ta kushtëzojë dialogun.
Mendim të prerë ka edhe për idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, ku ish kryeparlamentari thotë se Kosova nuk ka çka t’i jap Serbisë. Ai këmbëngulë që dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhiqet nga delegacioni shtetëror i votuar në Kuvend, e jo nga presidenti.
Krasniqi në një intervistë për KosovaPress, këshillon kryeministrin që të qëndrojë pas taksës, pasi, siç shprehet ai, presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet te Beogradi e jo te Prishtina.
Mosunifikimi rreth taksës nga spektri politik, sipas Krasniqit, ka sjell reagime dhe presione nga SHBA-të dhe Evropa.
Madje, sipas tij, më shumë presion për tu larguar taksa ka pasur nga brenda, se sa nga ndërkombëtar, prandaj ai thotë se një politikë e tillë nuk i bënë mirë vendit.
Në raport me Serbinë, ai thotë se duhet unifikim politik.
“Në raport me taksën dhe në raport me politikat agresive të Serbisë, faktori politik në Kosovë pozitë, opozitë duhet t’i ketë politikat e unifikuara”, thotë ai.
Krasniqi ka këshilluar koalicionin qeverisës që vendimet që i marrin të jenë të përbashkëta, dhe mos të ketë përçarje.
Duke folur për idenë e korrigjimi të kufijve të cilën e ka proklamuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetari i Kuvendit të Kosovës shprehet çartë se Kosova nuk ka çka t’i jap Serbisë, dhe se ndryshimi i kufijve e dëmton Kosovën.
“Deklarimet që vazhdojnë edhe këtë vit për korrigjimin e kufijve janë të panevojshme dhe për ne të papranueshme. Kosova dhe shqiptarët nuk kanë çka me i dhënë Serbisë, mund të kenë çka t’i marrin por çka t’i japim jo dhe të gjitha bisedimet që bëhen për ndryshim të kufijve për neve janë të papranueshme. Në fund të fundit Kosova duhet të njihet me këta kufij që i ka, me kufijtë që e ka shpallur pavarësinë, me tërësinë territoriale që e garanton edhe Kushtetuta, dhe me sovranitetin e saj kështu që çdo bisedim për ndryshim kufijsh është e dëmshme jo vetëm për Kosovën, por mendoj edhe për shumë vende tjera të rajonit”, thotë Krasniqi.
Lidhur me çështjet se kush duhet t’i udhëheqë tutje bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë nga pala kosovare, Krasniqi këmbëngul që Kosova duhet të përfaqësohet nga delegacioni shtetëror për dialog, i kryesuar nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.
Ekip ky i cili është mandatuar edhe me votat e deputetëve të parlamentit të Kosovës.
Pozicionin e Haradinaj si kryeministër karshi dialogut ai e ka konsideruar taktik.
“Bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë duhet t’i vazhdonte Qeveria, ose tash delegacioni i miratuar në Kuvend, dhe që është delegacion qeveritar dhe jo presidenti. Nëse krahasojmë me të kaluarën realisht kryeministri do të duhej t’i udhëhiqte bisedimet, por ai ka bërë një tërheqje ndoshta taktike, ndoshta një kompromis në mes të këtyre dy institucioneve të shtetit, por tash është delegacioni qeveritar i miratuar në Kuvend dhe unë mendoj që këta duhet t’i udhëheqin bisedimet, presidenti mund ta ketë në një periudhë rolin e vetë, por bisedimet substanciale mes Serbisë dhe Kosovës duhet t’i udhëheqë delegacioni”.
Ligjin për dialogun me Serbinë i cili u votua ditë më parë në Kuvend, Krasniqi e konsideron se një ligj të mirë, i cili e legjitimon tutje delegacioni për bisedime me Serbinë.
Duke folur për kërkesën e Maja Koçianqiq, zëdhënëses së komisioneres Federica Mogherini, e cila ka thënë se çështja e “Trepçës” duhet të zgjidhet në Bruksel, Jakup Krasniqi thekson se pasuritë e Kosovë nuk duhet të bëhen pjesë e bisedimeve asnjëherë.
Kujtojmë që në muajin nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, taksë kjo e cila ngjalli reagime të shumta nga ndërkombëtarët e veçanërisht nga amerikanët. Por kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur disa herë kundër pezullimit të taksës, pasi siç shprehet ai, një gjë e tillë do të ndodh në momentin që Serbia e njeh Kosovën. /kp/Telegrafi/