Site icon Telegrafi

Krasniqi e Haradinaj për 22 vjetorin e Policisë: Shteti duhet të angazhohet për trajtim më dinjitoz të tyre

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka shënuar sot 22 vjetorin e themelimit të saj.

Me këtë rast liderët e partive politike kanë përgëzuar pjestarët dhe drejtuesit e këtij institucioni për punën e bërë gjatë këtyre viteve.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se në këtë ditë të shënuar për shtetin tonë dhe qytetarët, kujtojmë me nderim policët që ranë në krye të detyrës, në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës dhe jetës së qytetarëve pa dallim.

“Policia e Kosovës është padyshim një ndër mekanizmat shtetëror më të besueshëm, që gëzon respekt dhe manifeston profesionalizëm të madh në shërbim të komunitetit, për rritjen, zhvillimin e integritetin e të cilës, institucionet tona janë përpjekur e kanë investuar vazhdimisht. Megjithatë, ka ende punë për të bërë që pjesëtarët e Policisë së Kosovës të kenë trajtim dinjitoz, përfshirë sigurimin e kushteve efikase për punë, rregullimin e statusit për pensionimin e parakohshëm, sigurimin shëndetësor dhe atë të jetës. Në këtë 22 vjetor, përderisa festojmë këtë traditë të mirëfilltë, njëkohësisht ftojmë që kjo traditë e mirë e këtij institucioni themelor për rend dhe ligj, të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke ruajtur paanësinë dhe duke thelluar shërbimin ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim”, ka shkruar ai.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përgzuar të gjithë pjesëtarët e Policisë për shëbrimin e tyre. Ai ka thënë se shteti vazhdimisht duhet të bëjë të pamundërn që të tajtojë me dinjitet Policinë e Kosovës.

“Policia e Kosovës është një prej sukseseve më të mëdha të shtetit tonë. Ajo me profesionalizëm e devotshmëri po e kryen detyrën e shenjtë të ruajtjes së rendit dhe ligjit. Andaj, shteti vazhdimisht duhet të bëjë të pamundurën që ta trajtojë me dinjitet Policinë e Kosovës, me paga të dinjitetshme dhe krijimin e kushteve në përputhje me kompleksitetin e detyrave që kryejnë.
I përgëzoj të gjithë pjesëtarët e Policisë, për shërbimin ndaj Atdheut. Kujtojmë me nder e respekt ata që ranë në krye të detyrës”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version