Site icon Telegrafi

Krasniqi: Albini është gati, nuk ka asnjë problem

Albin Tahiri, Kosova (Getty Images)

Zyrtari për media në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), Kushtrim Krasniqi, ka folur për Telegrafin pak orë para nisjes së garës së shumëpritur të skitarit Albin Tahirit, i vetmi që përfaqëson Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang 2018.

Në ditët e fundit në mediet e Kosovës është shkruar rreth problemeve me skia të skitarit Tahiri, ku është thënë se ato janë harruar në Stamboll.

Megjithatë, nuk ka vend për shqetësim, pasi Krasniqi ka deklaruar se Albini i ka të gjitha pajisjet e nevojshme me vete në Korenë e Jugut dhe është gati për garën e parë në LOD PyeongChang 2018.

Lexo po ashtu Kosova bën parakalimin historik në ceremoninë hapëse të LOD PyeongChang 2018

“Nga 10 palë skia sa i ka pasur me vete Albini, një pale janë ndalur në Turqi. Ato kanë arritur pas një dite”, ka thënë fillimisht për Telegrafin, përgjegjësi për media në KOK, Kushtrim Krasniqi.

Kushtrim Krasniqi (i pari nga e djathta)

“Ishin lloji i skive që do t’i përdorë në garën e parë që zhvillohet në ora 04:00 pas mesnatës me orën tonë (e diel)”.

“Skiat janë që tri dite këtu [Korenë Jugore] dhe Albini është gati”, përfundoi Krasniqi.

Ndryshe, Albini, garën e parë do ta ketë më 11 shkurt (e diel) në lëshim të shpejtë, derisa që nga 8 shkurti i ka filluar përgatitjet zyrtare.

Lexo po ashtu Orari i pesë garave në Lojërat Olimpike dimërore ku do të marrë pjesë Albin Tahiri

Garat e lëshimit të shpejtë fillojnë në ora 04:00 e mëngjesit me kohën tonë lokale, kurse në 11:00 me kohën në Korenë e Jugut.

Ndërsa, lëshimi i shpejtë mbahet në qendrën alpike në Jeongseon, e cila ndodhet rreth 40 kilometra larg qytetit të PyeongChangut. /Telegrafi/

Exit mobile version