Telegrafi

Krasniqi: Absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, kam qenë pjesë e kësaj partie

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se i duket absurde që Gjykata Speciale në Hagë e akuzon për persekutimin e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo pasi siç ka thënë ai, vetë ka qenë pjesë e kësaj partie, por edhe familjarët e bashkëluftëtarët e tij.

“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së ose si pjesë e një qëllimi të përbashkët për të sulmuar LDK-në. Unë vetë kam qenë anëtar i LDK-së, familjarët e mi ishin anëtarë të LDK-së edhe bashkëluftëtarët e mi ishin anëtarë po ashtu”, është shprehur Krasniqi.

Ai tutje ka thënë se vetëm një mendjeje të çoroditur mund t’i ketë lindur ideja se ai kam mundur të jetë pjesë e persekutimit të familjarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij.

“Tërë jetën më ka shoqëruar toleranca ndaj mendimit ndryshe. Po ju përmend një shembull që nxjerr në shesh të pavërtetat e pretendimeve të një akuze të tillë. Si shumë familjarë të tjerë edhe vëllai im ka qenë pas luftës, gjatë dhe pas luftës anëtar i LDK-së. Në zgjedhjet e lira të pasluftës vajza e tij, mbesa ime, u zgjodh si anëtare të LDK-së në asamblenë e Drenasit”, ka deklaruar mes tjerash Krasniqi. /Telegrafi/