Site icon Telegrafi

Kraja: Nuk ka zgjidhje tjetër, pronat duhet t’i kthehen Manastirit të Deçanit

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, është deklaruar lidhur me çështjen e pronës së Manastirit të Deçanit.

Sipas tij, pronat duhet t’i kthehen Manastirit të Deçanit, pasi Kosova ka mundur ta evitojë këtë, por që nuk e ka bërë me kohë dhe tani nuk ka mbetur zgjidhje tjetër.

“Në pamundësi të suprimohen vendime të tilla për kalime pronësore, s’kemi zgjidhje tjetër, ose duhet suprimuar përmes Kuvendit, çka do të shkaktonte rrëmujë të madhe ose duhet të kthehen pronat tek Manastiri i Deçanit. Ia kemi bërë vetes. Zgjidhje tjetër nuk ka. Ajo ka mundur të bëhet me kohë. Ka mundur, tash nuk ka tjetër zgjidhje. Sepse e ke të shkruar taksativisht. E ke miratuar dhe ke pasur arsye që mos ta bësh. Sepse janë vendime të një shteti gjenocidal dhe diktatorial. Dhe ato vendime gjithmonë janë zhbërë me vendime të parlamenteve”, është shprehur Kraja në emisionin “Pressing” në T7.

Lexo po ashtu Pas kërkesës së QUINT-it, tre ambasadorë të huaj vizitojnë Manastirin e Deçanit

Ndryshe, ditë më parë ambasadorët e QUINT-it kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.

Në deklaratën e përbashkët të QUINT-it thuhet se në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë, ndërkaq përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar.

“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar.

Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës. Prandaj, sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – ka zgjatur më shumë se 15 vjet.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2016 ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por vendim ky që ende nuk është zbatuar.

Manastiri i Deçanit ka edhe një kontest me autoritetet lokale në Deçan, e që ka të bëjë me ndërtimin e rrugës kryesore Deçan – Plavë./Telegrafi/

Exit mobile version