Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar për oraret e hapjes së votimeve dhe për mbajtjen e konferencave për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen të dielën në veri të Kosovës.
Përmes një njoftimi, KQZ-ja ka bërë të ditur se procesit zgjedhor në katër komunat veriore do t’i nënshtrohen 57.983 qytetarë me të drejtë vote.
KQZ-ja ka njoftuar se do të mbajë pesë konferenca për media gjatë ditës së nesërme për të dhënë detaje për procesin zgjedhor.
Në orarin e përcjell nga KQZ-ja, konferenca e parë do të mbahet në orën 08:00 për të njoftuar për hapjen e qendrave të votimeve. Në ora 11:30, KQZ-ja do të njoftojë për numrin e votuesve deri në këtë kohë. Edhe në orën 15:30 konferenca për media ka për qëllim që të njoftojë për numrin e votuesve dhe zhvillimet e tjera.
Kurse në orën 19:30, KQZ do të njoftojë për pjesëmarrjen në votime deri në mbylljen e vendvotimeve. Për konferencën e pestë, kur do të bëhen publike rezultate preliminare, thuhet se mediat do të njoftohen me kohë.
Në Komunën e Leposaviqit garojnë tre kandidatë për kryetarë, dy nga parti shqiptare dhe një nga një parti serbe, sikurse edhe në Zubin Potok, Zveçan e në Mitrovicën e Veriut.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 8 prill kishte shpallur datën e zgjedhje të jashtëzakonshme për 19 maj në katër komunat veriore të Kosovës pas dorëheqjeve (27 nëntor, 2018) nga katër kryetarët e atëhershëm të këtyre komunave si masë kundërshtuese ndaj taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.