Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një njoftimit për media thotë se dëshiron të sqarojë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur me një gabim teknik që është bërë gjatë futjes së të dhënave të Rezultateve Preleminare, pasi është përmbyllur numërimi në Vendvotim.
“Në Vendvotimin 1921X/01R dhe në Vendvotimin 1921X/02R në komunën e Prishtinës, gjatë futjes së të dhënave të Rezultateve Preleminare janë shënuar gabim të dhënat të cilat më pas janë transmetuar në faqen zyrtare të KQZ-së, tek linku i Rezultateve Preleminare (Jo-Përfundimtare). Ky gabim është përmirësuar dhe do të paraqitet në linkun e rezultateve në faqen e KQZ-së”, thuhet në njoftimin për media të KQZ-së.
Në paraqitjen e mbrëmshme të rezultateve preliminare të KQZ-së, diferenca në mes të Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit ishte për 307 vota në favor të këtij të parit. Diferenca pas këtij përmirësimi ka rënë në 237 vota.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për qëllim të saktësimit të informacionit, njofton se të dhënat që vijnë përmes sistemit K-Vote nuk përbëjnë Rezultatin Përfundimtar, sepse Rezultatet Përfundimtare mbështetën në të dhëna nga formularët origjinal që vijnë nga Vendvotimet”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/