Në Qendrën për Rinumërim dhe Rezultatet ( QNR), është duke vazhduar procesi i rinumërimit të vendvotimeve për të cilat ka marrë vendim Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha për Telegrafin se gjatë ditës së sotme deri në ora 16:00, janë rinumëruar 65 vendvotime.
“Vetëm deri në orën 16 të ditës së sotme, e enjte, janë rinumëruar 65 vendvotime. Në përgjithësi numri i vendvotimeve të rinumëruara, që nga pasditja e 13 nëntorit dhe deri më tani, është: 1 034 apo 73.49%. Në QNR janë 33 tavolina numërimi dhe gjatë një ndërrimi (08:00-16:00) vetëm njëra prej tyre numëron mesatarisht 750 fletëvotime si dhe kryen të gjitha procedurat tjera që kanë të bëjnë me plotësimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe formularët e rezultateve të kandidatëve për deputetë”, ka thënë ai.
Procesi i rinumërimit ka filluar më 13 nëntor.
Ndryshe, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Enis Halimi, ka thënë gjatë ditës së djeshme për Telegrafin se në bazë të rinumërimit të tanishëm, shpallja e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të ndodhë në fillim të javës së ardhshme.
Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 6 tetor./Telegrafi/