Site icon Telegrafi

KQZ: Rezultatet përfundimtare shpallen këtë javë, nga 500 persona të infektuar me coronavirus votuan 170

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së veriut do të shpallen gjatë kësaj jave.

Lajmin e ka konfirmuar Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Ai ka sqaruar se kur të përfundojë numërimi i të gjitha votave edhe do të bëhet publikimi i rezultateve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpallë rezultat përfundimtare të një procesi zgjedhor pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parapara me ligj këtu në QNR siç është pra numërimi i votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta, të votuesve të kësaj kategorie pra që kanë qenë të prekur me Covid-19 si dhe të votave me postë”.

“Pasi të përfundojnë të gjitha këto procedura si dhe duhet pritur poashtu nëse në Panelin Zgjedhor të Ankesave dhe të Parashtresave do të ketë ndonjë ankesë lidhur me ngjarjet në vendvotim gjatë ditës së diele pasi që të përfundoj e të kompletohet i gjithë ky proces, KQZ-ja do të dal me rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe po besojmë që gjatë ditëve ne vijim do të arrihet kjo”, deklaroi ai.

Sipas Elezit në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve do të fillojë të bëhet numërimi i fletëvotimeve të votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta, votave të atyre që kanë qenë të infektuar me Covid-19 si dhe votat të cilat kanë ardhur me postë.

“Këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve të dielën në mbrëmje e kemi pranuar materialin zgjedhor nga Komuna e Podujevës dhe e Mitrovicës së Veriut ku është zhvilluar gjatë ditës së djeshme procesi zgjedhor”.

“Në bazë të procedurave të rëndomta të cilat zhvillohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve bëhet evidentimi i të gjithë këtij materiali i cili pranohet dhe po sipas proceduarve besojmë qe së shpejti do të bëhet numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta, votave të votuesve të cilët kanë qenë të infektuar me Covid-19 si dhe votat të cilat kanë ardhur përmes postës. Besojmë që ky proces do të fillojë shumë shpejt dhe rezultati pastaj i numërimit të këtyre fletëvotimeve i bashkohet rezultatit të vendvotimeve. Pra numërim i cili është bërë të dielën në mbrëmje”, potencoi ai.

Ai ka njoftuar se nga 500 persona të infektuar me Covid-19, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar vetëm 170 qytetarë, raporton EO.

“Në bazë të të dhënave të cilat deri më tani kemi arritur që t’i listojmë në Komunën e Podujevës numri i qytetarëve të cilët janë kontaktuar përmes telefonit për të iu treguar lidhur me shërbimin e KQZ-së pra për të votuar përmes ekipeve lëvizëse në ditën e zgjedhjeve ka qenë rreth 500 qytetarë të kontaktuar. Kontakti me ta është bërë i mundur duke u mbështetur në listën zyrtare të IKShPK-së”.

“Prej tyre siç jemi njoftuar kanë qenë rreth 200 persona të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje përmes këtyre ekipeve dhe sipas të dhënave të cilat i kemi pranuar nga terreni janë rreth 170 qytetarë që gjatë ditës së djeshme, pra votues që kanë qenë të infektuar më Covid-19 të cilët kanë votuar përmes këtyre ekipeve që KQZ-ja i ka dërguar në adresë të tyre”, u shpreh ai.

Exit mobile version