Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ( KQZ ) në konferencën e tretë të mbajtur lidhur me zgjedhjet në veri ka publikuar disa të dhëna lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në ora 15:00.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se procesi zgjedhor është duke vijuar në rregull dhe se nuk është njoftuar për ndonjë pengesë deri tani, transmeton Telegrafi.
“Në Leposaviq 110 votues apo 0.83%, në Zubin Potok janë 240 votues apo 3.6%, në Zveçan janë 145 votues apo 2.07% dhe në Mitrovicë të Veriut 590 votues apo 3.3%”, tha ai.
Elezi theksoi tutje se konferenca e radhës do të mbahet në ora 19:30, pas mbylljes së vendvotimeve.
Ndryshe, qytetarët në katër komunat veriore Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, janë duke votuar sot për kryetarin e ri të komunës. Të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 votues.
KQZ ka njoftuar se nga 44 qendra votimi sa janë gjithsej, vetëm 6 prej tyre do të shërbejnë për të njëjtin qëllim, ndërsa 13 të tjera do të hapen në kontejnerë, si qendra alternative. /Telegrafi/