Telegrafi

KQZ në Shqipëri njeh ligjërisht vetëm PD-në zyrtare

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi ka deklaruar sot se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vlerësojë legjitimitetin e personit që do të sjellë dokumentacionet përkatëse për propozimin e anëtarëve në KZAZ-të e vendit.

Gjatë një prononcimi për mediat, kryekomisioneri u pyet nga gazetarët se cilët janë përfaqësuesit e Partisë Demokratike të cilët KQZ njeh aktualisht. Celibashi bëri të ditur se PD-ja përfaqësohet nga Marash Logu dhe Indrit Sefa, të cilët janë përfaqësues ligjorë të PD-së zyrtare që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj.

Po ashtu kryekomisioneri bëri të ditur se aktualisht KQZ ka komunikim në mënyrë formale vetëm më Logun dhe Sefën por shtoi se nuk mungojnë as komunikimet me karakter profesional edhe me Ivi Kason, i cili përfaqëson grupimin e Sali Berishës. /Telegrafi/