Telegrafi

KQZ: Kuvendi zgjedhor i Listës Serbe në përputhje me Rregulloren

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka monitoruar Kuvendin Zgjedhor të Listës Serbe, i cili është mbajtur më 24 tetor 2023.

Sipas Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, e cila funksionon në kuadër të KQZ-së, pas monitorimit të Kuvendit dhe pas shqyrtimit të dokumenteve të pranuara nga Lista Serbe, rezulton se zgjedhja e kryetarit, kryesisë dhe nënkryetarëve është në përputhje me Rregulloren për Regjistrimin dhe Funksionimin e Partive Politike dhe statutin e kësaj partie.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Besnik Buzhala tha se gjatë monitorimit të këtij procesi është konstatuar se gjithçka ka shkuar në përputhje me Rregulloren numër 1/2023 të regjistrimit dhe funksionimit të partive politike.

Lidhur me këtë, anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi tha se ka parë disa detaje që nuk janë të përfshira në raport. Ai tha se sipas neneve 17, 18, dhe 18 flitet për përgjegjësinë e anëtarëve dhe nënkryetarëve të kryesisë, derisa i bëri pyetje Buzhalës nëse është caktuar ndonjë masë ndaj këtyre anëtarëve që sipas tij kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist.

Tutje, Kurteshi potencoi se kryetari i partisë zgjidhet sipas rregullave me votim të fshehtë, ‘mandej thotë se kuvendi mund të vendos që zgjedhja të bëhet me votim të hapur’.

Lidhur me të gjitha këto, Buzhala u përgjigj duke thënë se “asnjëra nga këto nuk janë”, derisa shtoi se nuk i kanë vërejtur këto.

Sipas tij në mbajtjen e kuvendit zgjedhor ka pasur shumë gazetarë, dhe kanë qenë të vendosur në pjesën e fundit të hapësirës, derisa cek se kjo ka mundur të pengojë monitorimin./KP/