Site icon Telegrafi

KQZ: Aprovohen 4,811 zarfe me fletëvotime nga diaspora, refuzohen 1,891

Foto: ARKIV

Nga procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime, deri më tani nga 6 mijë e 700 zarfe me fletëvotime janë aprovuar 4 mijë e 811, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 891 zarfe me fletëvotime nga diaspora.

Kështu kanë bërë të ditur përmes një njoftimi për media nga Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve (KQZ).

Siç thuhet në njoftim, arsyet e refuzimit kanë të bëjnë me faktin se  ato janë dërguar nga votues të refuzuar në periudhën e aplikimit, nga votues të paidentifikuar (votim grupor); nga votues që kanë bashkangjitur dokumente jo-valide apo nga votues që kanë dërguar fletëvotime nga dy herë.

“Nga procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime, deri më tani nga 6 mijë e 700 zarfe me fletëvotime janë aprovuar 4 mijë e 811 ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 891 zarfe me fletëvotime. Arsyet se përse janë refuzuar kanë të bëjnë me faktin se ato janë dërguar nga votues të refuzuar në periudhën e aplikimit; nga votues të paidentifikuar (votim grupor); nga votues që kanë bashkangjitur dokumente jo-valide apo nga votues që kanë dërguar fletëvotime nga dy herë”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Verifikohen 5,778 fletëvotime nga diaspora, 1,632 refuzohen

Ndërkaq, në njoftim thuhet se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar punën sipas procedurave të parapara.

“Aktualisht në këtë qendër janë duke u zhvilluar disa procese, të cilat janë të domosdoshme për t’u kryer në mënyrë që të KQZ-ja të bëjë të mundur shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët. Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar me procesimin e të dhënave nga formularët e rezultateve. Deri më tani, nga 2 mijë e 382 vendvotime, janë procesuar të dhënat e formularëve të subjekteve politike për 1 661 vendvotime apo rreth 70% si dhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për 1 324 vendvotime apo rreth 59%”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu, siç thuhet në njoftim QNR-ja është duke vazhduar me skanimin e listës përfundimtare të votuesve, në të cilën janë nënshkruar votuesit në ditën e zgjedhjeve.

“Deri më tani është skanuar lista përfundimtare e votuesve nga 1 244 vendvotime apo rreth 53% e saj. Ky aktivitet është i domosdoshëm për të na siguruar se nuk ka raste kur ndonjë votues ka marrë pjesë në votim në vendvotimin e tij të rregullt, por edhe në vendvotimin me kusht”.

Ndërsa sa i përket procesit të vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime, thuhet: “Shërbimi Votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre. Siç e dini gjatë periudhës së votimit përmes postës kemi pranuar rreth 43 mijë e 500 pako të supozuara me fletëvotime. Ky proces, ka për qëllim të verifikojë çdo pako dhe vetëm pas disa ditësh do të mund ta dijmë saktë se sa është numri i fletëvotimeve nga jashtë vendit”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version