Site icon Telegrafi

​KQZ deri më tani ka refuzuar 19% të kërkesave për regjistrim të votuesve jashtë vendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotshme, ka bërë të ditur se deri më datën 1 shtator, përmes platformës elektronike ka pranuar 1 mijë e 162 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës.

Prej tyre 940 janë aprovuar dhe 222 janë refuzuar (19%), për shkakun se dokumentet nuk kanë qenë të pa kompletuara, pasi që në shumicën e rasteve aplikuesit nuk janë fotografuar duke e mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.

Kryeshefi i ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj bëri të ditur se KQZ ka pranuar 85 kërkesa për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës, prej të cilave 69 janë aprovuar dhe 14 janë refuzuar për të njëjtin problem.

Aplikimi ka filluar që nga 29 gushti dhe do të përfundoj me 26 dhjetor të këtij viti.

“Sa i përket votimit jashtë vendit, periudha e aplikimit për t’u regjistruar e cila është e hapur dhe ka filluar nga 29 gusht dhe do të përfundoj me 26 dhjetor. Deri me datën 1 shtator përmes platformës elektronike, kemi pranuar 1 mijë e 162 kërkesa për regjistrim, të cilat janë shqyrtuar dhe të refuzuara janë 222 aplikime dhe 940 kërkesa të aprovuara. Arsyet e refuzimit janë sepse dokumentet gjatë aplikimit kanë qenë të pakompletuara…Sa i përket regjistrimit edhe për ndërrimin e qendrave të votimit, deri më tani kemi pranuar 83 kërkesa ku prej tyre 69 janë aprovuar dhe 14 janë refuzuar, pothuajse arsyet janë të njëjta”, ka thënë Ahmetaj.

Ndërsa, anëtari i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi ka shtuar se është një numër i madh i aplikimeve që janë refuzuar dhe duket se është keqkuptuar kërkimi i fotografisë i dokumentit në dorë.

“Janë një numër i madh i aplikimeve që janë refuzuar sepse në shumicën e rasteve, në pjesën e platformës kur kërkohet bashkëngjitja e fotografisë në dokument në dorë si duket është keqkuptuar, apo nuk është informuar mjaftueshëm publiku qytetarë në lidhjen në atë se si bëhet kjo procedurë që është shumë e thjeshtë”, ka shtuar ai.

Përveç kësaj në mbledhjen e KQZ-së, është miratuar edhe plani i buxhetit për organizimin e punëtorisë përmes KQZ-së së Kosovës dhe KQZ-së së Shqipërisë. /KP

Exit mobile version