Site icon Telegrafi

​KQZ akrediton grupin e dytë prej 112 vëzhguesve për zgjedhjet në veri

Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur të shtunën për të diskutuar lidhur me procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës, në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

KQZ ka miratuar procedurat e votimit dhe numërimit, ka shqyrtuar dhe miratuar format zgjedhore si dhe anëtarët e këshillave të vendvotimeve.

Në fillim të mbledhjes, KQZ mori vendim për akreditimin e grupit të dytë prej 112 vëzhguesve, të cilët do të mund të përcjellin nga afër procesin e votimit më 21 prill dhe procedurat tjera deri në certifikimin e rezultatit përfundimtar.

Po ashtu, u bë miratimi i numrit të fletëvotimeve për vendvotime. Bazuar në Listën e Votuesve, numri i votuesve në këto komuna është 46,556, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 40,000 fletëvotime, pra 6,556 apo 14.1 për qind fletëvotime më pak se votues, raporton kp.

Numri i vëzhguesve të akredituar deri më tani nga KQZ është 130, të cilët përfaqësojnë media, organizata jo-qeveritare vendore dhe përfaqësi diplomatike në Kosovë.

Exit mobile version