Site icon Telegrafi

KPM thhirrje mediave për raportim të saktë dhe të paanshëm për situatën në veri të Kosovës

Komisioni i Pavarur i Mediave apelon tek mediat shqiptare dhe serbe të licencuara pranë KPM-së që t’i përmbahen Kodit të Etikës dhe se raportimet të jenë të sakta, të paanshme dhe të bazuara në fakte.

KPM thotë se mediat nuk duhet të transmetojnë material për të cilin e dinë ose duhet ta dinë së është i pavërtetë ose mashtrues.

“Mediat e kanë për obligim që menjëherë të korrigjojnë çfarëdo informacioni të publikuar që është gjetur të jetë i pasaktë. Drejtuesit e mediave duhet të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të mbrojtur sigurinë dhe pavarësinë e gazetarëve të tyre nga çfarëdo ndikimi politik ose financiar, përfshirë edhe nga pronarët e mediave”, thuhet në njoftim.

KPM u bënë thirrje mediave që ta respektojnë të drejtën e privatësisë së individëve.

“Ata që janë prekur nga tragjedia apo pikëllimi, duhet të trajtohen me ndjeshmëri, respekt dhe maturi, duke respektuar privatësinë e plotë të tyre”.

KPM i dërgon ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë dhe u uron shërim të shpejtë policëve të plagosur./Telegrafi/

Exit mobile version