Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka reaguar pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shpallur konkurs për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Përmes një postimi në Facebook, nga kjo ambasadë kanë thënë se kanë qenë duke pritur përgjigje nga KPK, pasi kanë ofruar mbështetje në rekrutimin për këtë pozitë.
“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në reagimin e tyre.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takimin e 208-të me radhë, ndërkaq anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë marrë vendim në fillim të këtij takimi për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në njoftim thuhet se ky vendim është marrë duke u bazuar në Rregulloren nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, e cila përcakton që konkursi shpallet së paku 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit.
Mandati 7-vjeçar i Kryeprokurorit aktual të Shtetit, Aleksandër Lumezi, do të përfundojë më 21 prill 2022.
“KPK-ja ka themeluar edhe Panelin vlerësues për poentimin e kandidatëve që aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Anëtarë të këtij paneli, përveç Kryesuesit të Këshillit, Jetish Maloku, që, sipas detyrës zyrtare, është anëtar dhe kryesues i panelit, përmes shortit u përzgjodhën edhe anëtarët e KPK-së, Ariana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq. /Telegrafi/