Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), përmes një njoftimi për media, ka reaguar lidhur me gjuhën e Vetëvendosjes, të përdorur në drejtim të kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.
KPK, u ka bërë thirrje publike të gjithë faktorëve, në veçanti, subjekteve politike që të evitojnë përhapjen e një gjuhe të tillë, që përbën ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë, si dhe bie në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se të premten do të protestojë para Prokurorisë së Shtetit.
“Në Kosovën tonë të dashur nuk mund të kemi luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të institucionalizuar, nuk mund të kemi gjyqësor të drejtë e drejtësi gjyqësore, me kryeprokuror Aleksandër Lepurin. Me këtë kryeprokuror, shteti i Kosovës nuk është Republikë, por Lepurblikë”, ka deklaruar lideri i VV-së, Albin Kurti.
Më poshtë reagimi i plotë i Këshillit Prokurorial:
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), shpreh indinjatë të thellë për gjuhën denigruese, propaganduese, ofenduese dhe kërcënuese të subjektit politik “Vetëvendosje”, e cila ka marrë përmasa tendencioze dhe synon cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të sistemit prokurorial.
Këshilli u bën thirrje publike të gjithë faktorëve, në veçanti, subjekteve politike që të evitojnë përhapjen e një gjuhe të tillë, që përbën ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë, si dhe bie në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
KPK-ja thekson se keqpërdorimi i fjalës së lirë është dhe mbetet kryekëput jashtë të drejtës demokratike në vendin tonë, ngaqë menaxhimi dhe kontrolli institucional ndaj Prokurorit të Shtetit është e drejtë e patjetërsueshme e Këshillit, me ç’rast bëjmë me dije se nuk ndikohemi nga qarqet politike dhe grupet e interesit, sepse pushteti gjyqësor, në kuadër të të cilit funksionojmë, është pushtet i veçantë dhe se Prokurori i Shtetit është institucion unik, i pavarur dhe i paanshëm.
Këshilli Prokurorial është i përkushtuar me të gjithë mekanizmat e tij që të punojë, mbrojë dhe avancojë çdo vlerë të integritetit, dinjitetit dhe transparencës publike, si dhe të luftojë çdo tendencë për presion dhe ndërhyrje nga ana e kujtdoqoftë.
Andaj, KPK-ja bën thirrje që Prokurori i Shtetit, puna dhe misioni i tij, të jenë jashtë çdo agjende të politikës ditore, sepse vlerësimi i punës së prokurorëve bëhet vetëm e vetëm nga Këshilli Prokurorial dhe mekanizmat e tij, e nuk varet nga vullneti i individëve, subjekteve dhe grupeve të caktuara. /Telegrafi/