Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), e ka cilësuar shkelje ligjore vendimin e Kuvendit të Kosovës për të shkarkuar Agron Bekën nga pozita e anëtarit të KPK-së.
Për shkarkimin e Bekës kanë votuar 62 deputetë ndërsa s’ka pasur asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
E në reagimin e tij, KPK ka thënë se institucioni i vetëm kompetent në bazë të legjislacionit në fuqi, për t’i shqyrtuar shkeljet eventuale të anëtarëve është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mekanizmat e tij.
“Mbi të gjitha, KPK-ja thekson se vendimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës është një tentativë e madhe politike për të ndërhyrë në përbërjen aktuale të anëtarëve të KPK-së, duke krijuar para opinionit publik një pasqyrë të rreme faktesh dhe argumentesh, me synimin e vetëm për të penguar funksionimin normal të këtij organi të pavarur kushtetues dhe ligjor. Kjo ndërhyrje për KPK-në është cenim i funksionimit të rregullt të saj”, thuhet në reagimin për media.
KPK më tej ka deklaruar se “Agron Beka ka ofruar një mjaft prova, duke demantuar plotësisht pretendimet e pabaza që dërguan deri te ky shkarkimi joligjor, andaj Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes këtij reagimi publik, bënë me dije përfundimisht se të gjitha insinuatat e partisë politike në pushtet janë shpifje, fyerje dhe keqpërdorim i besimit qytetar”.
“Kjo vërtetohet me vendimin e sotëm për shkarkimin e z.Beka, pa pasur asnjë argument ligjor, por vetëm me qëllim të denigrimit të figurës së tij dhe me qëllim të realizimit të interesave të tyre politike dhe krejt kjo pas gjashtë tentimeve për ta vënë në rend dite”.
KPK-ja ka vlerësuar Agron Beka gjatë angazhimit të tij nuk ka pasur asnjë vërejtje në ushtrimin e detyrës dhe asnjë shkelje e aq më pak procedurë.
“Por, me punën e tij dhe profesionalizmin e treguar ka ndihmuar sistemin prokurorial dhe KPK-në në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese. Këshilli Prokurorial i Kosovës, shpreh bindjen se z.Agron Beka ka vepruar në kuadër të autorizimeve të veta si anëtar i KPK-së dhe këtë vlerësim nuk mund ta bëjë askush tjetër përpos organit ku punon dhe vepron”.
“Por, tashmë tendenca ka marrë hov dhe shkarkimi i tij është një dëshmi e pamohueshme se po tentohet të merret nën kontroll institucioni më i rëndësishëm kushtetues, i cili është themel për ta ruajtur sigurinë juridike në këtë vend”, thuhet mes tjerash.
KPK ka paralajmëruar se të përdorë të gjithë mekanizmat e saj kushtetues dhe ligjor “për ta kontestuar këtë paligjshmëri që bëri sot pushteti ndaj KPK-së”. /Telegrafi/