Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka dënuar gjuhën e përdorur nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiut ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Iliaz Beqiri, në seancën gjyqësore ndaj saj të premten.
Haxhiu ka kërkuar nga prokurori Beqiri që të dorëzohet dhe të tërhiqet nga aktakuza për gazin lotsjellës. Kjo pasi sipas saj, mungon ekspertiza dhe faktet. Bëhet fjalë për rastin ku ajo bashkë me deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi e Besa Baftiu, akuzohen se më 19 shkurt 2016 kanë poseduar jashtëligjshëm në Parlament nga një bombolë të gazit.
“Prandaj, ndonëse pas 7 vitesh i kërkoj prokurorit që të dorëzohet, të tërhiqet nga aktakuza. Nuk është vonë asnjëherë për të bërë një veprim te tillë”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas KPK-së, kjo gjuhë e përdorur është kërcënuese, ndaj ka kërkuar nga ministrja që “të përmbahet nga deklaratat e vazhdueshme kërcënuese ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, sepse gjuha e saj e përdorur është tentativë për ndërhyrje në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit”.
“Në anën tjetër, KPK-ja do të vazhdojë fuqishëm të mbështesë dhe të mbrojë me të gjitha mjetet juridike në dispozicion punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Këshillit Prokurorial. /Telegrafi/