Kamerat e sigurisë në Britani të Madhe kanë kapur momentin kur një burrë përdor një kovë me benzinë për t’i vënë zjarrin një shtëpie – ku si pasojë humbi jetën një 26-vjeçar dhe katër tjerë u lënduan.
Bëhet fjalë për Akashdeep Singh, i cili humbi jetën nga zjarri që përfshiu pronën në Wolverhampton më 25 qershor, transmeton Telegrafi.
Katër anëtarët e tjerë të familjes u lënduan nga zjarri, ku një grua 52-vjeçe dhe një 16-vjeçar përfunduan në spital në gjendje kritike.
Pamjet që janë publikuar nga policia të martën, shfaqin burrin e veshur me të zeza duke iu afruar shtëpisë me një kovë me benzinë, para se të thyente dritaren.
Disa sekonda më pas shihet se e tërë shtëpia kaplohet nga zjarri, dhe i dyshuari largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Policia në West Midland ka filluar hetimet për vrasje, dhe i ka bërë thirrje qytetarëve që t’i informojnë nëse kanë çfarëdo informacione që do të çonte në kapjen e të dyshuarit. /Telegrafi/