Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski njoftoi sot se subvencionimi i energjisë elektrike do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm për të parandaluar goditjet e jashtëzakonshme të çmimeve.
Sipas Kovaçevskit, duhet të sigurohet furnizim i pandërprerë me energji elektrike, por edhe çmimi të jetë i qëndrueshëm.
“Në Evropë tashmë ka një numër të madh biznesesh nga sektorët industrialë që nuk funksionojnë. Nuk duam të lejojmë që kjo të ndodhë këtu, edhe pse kemi një periudhë jashtëzakonisht të vështirë”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas seancës së Këshillit të Sigurimit.
Kryeministri tha edhe një herë se deri në fillim të vitit të ardhshëm nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, por nëse shqyrtohen të gjithë parametrat hyrës, theksoi ai, është e qartë për të gjithë se çmimet nga viti i ardhshëm edhe mund të rritet.
“Vitin e ardhshëm shteti do të subvencionojë sërish energjinë elektrike dhe nuk do të lejojë goditje çmimi”, nënvizoi kryeministri.