Telegrafi

Kovaçevski: S`do të lejojmë rritje enorme të çmimit të energjisë elektrike

Elektranat e Maqedonisë së Veriut kanë edhe një javë afat të paraqiten në tenderin e EVN Home, por kompania shtetërore ende nuk i ka dorëzuar llogaritë në Qeveri.

Ekzekutivi duhet të vendos për çmimin që EMV-ja duhet t`ia shesë rrymën e prodhuar EVN-së për gjashtë muajt e ardhshëm, e cila për momentin është 56 euro për megavat-orë.

Nga ky çmim do të varet se sa do të jenë llogaritë e amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël duke filluar nga 1 Korriku.

Kryeministri Kovaçevski nuk ka zbuluar se çfarë çmimi do të përcaktojë qeveria, por siguron se nuk do të ketë rritje enorme të çmimit për rrymën elektrike.

“Mund t`i siguroj qytetarët se sikurse deri tani, Qeveria nuk do të lejojë të ketë “shok” të çmimeve. 80% të cmimit të rrymës e subvencionojmë nga buxheti gjatë gjithë sezonit të ngrohjes vitin e kaluar. Në buxhet parashihen 250 milion euro për masa anti-krizë”, tha Dimitar Kovaçevski.

Kompanitë tjera energjetike tashmë kanë dorëzuar kërkesat e tyre në Komisionin Rregullator për Energjetikë. Të gjithë kërkojnë rritje të çmimit për shërbimet që ofrojnë. Nga KRRE-ja kanë thënë se nëse pranohen të gjitha kërkesat, çmimi i rrymës nga 1 Korriku do të rritet për 13%.

Ajo që dihet është TVSH-ja e llogarive rritet prej 10 në 18%, por amvisëritë sërish mund të shfrytëzojnë tarifën e lirë ditore.