Telegrafi

Kovaçevski për takimin Zaev – Gashi: Takim miqësor mes njerëzve që kanë bashkëpunuar

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk sheh asgjë kontestuese në takimin e paraardhësit të tij Zoran Zaev dhe kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi. Kovaçevski sot tha se ka qenë një takim miqësor mes njerëzve që kanë bashkëpunuar.

“Është një takim miqësor i njerëzve që kanë bashkëpunuar si pjesë e Qeverisë dhe është normale që njerëzit që janë miq të kenë takime. Është njësoj siç kam pasur takime kur unë nuk kam qenë kryeministër, siç kam takime tani kur jam kryeministër dhe siç do të kem takime edhe më vonë gjatë karrierës sime”, tha Kovaçevski në lidhje me takimin jo formal të disa ditëve më parë në mes Zoran Zaevit dhe Afrim Gashit.

Gashi këtë fundjavë përmes një postimi në Facebook ka konfirmuar informacionin për takimin e tij me ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev.

“Si drejtues i Alternativës, kam mandat dhe detyrë të takohem me të gjithë aktorët politikë në vend. Kështu kam punuar deri më tani dhe kështu do të punoj edhe në të ardhmen. Rrjedhimisht, nuk ka asgjë të veçantë dhe misterioze në takimin tim me ish-kryeministrin Zoran Zaev. E kuptoj interesimin e mediave për këtë takim, por mendoj se pyetja e vërtetë nuk është kush, ku dhe pse po takohet, por pse, me urdhër të kujt dhe nga çfarë frike po më ndjekin shërbimet e LSDM-BDI-së”, tha Gashi statusin e tij në Facebook.

Fotografinë e publikoi deputeti i pavarur dhe ish-anëtari i Alternativës, Skender Rexhepi. Takimi shkaktoi interesim në opinion për shkak se Alternativa u largua nga Qeveria, pas hyrjes së Aleancës për Shqiptarët në koalicionin qeveritar./Telegrafi/