Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski deklaroi se partia e tij asnjëherë nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese.
Mickoski përmes një konference për media pak minuta pasi Kuvendi miratoi konkluzionet mbi propozimin francez tha se deputetët e partisë së tij janë obliguar me deklarata noteriale të garantojnë se nuk do të sigurojnë vota për shumicën parlamentare.
Lideri i opozitës tha se asgjë nuk pa përfunduar dhe se bashkërisht me qytetarët do të ndalon tradhtinë ndaj popullit maqedonas.
Mickoski tradhtar i cilësoi edhe deputetët shqiptar dhe deputetët e pakicave etnike të cilët votuan konkluzionet, raporton Alsat.
“Populli të rri i qetë, ky nuk është viti 2019. Përmes iniciativës së deputetëve, jemi obliguar që me qëllim përmbushjen e premtimit tonë dhe për ta bllokuar tradhtinë, kemi nënshtruar deklarata të vërtetuara me noter se nuk do të pranojnë ndryshime kushtetuese duke garantuar me dinjitetin dhe kredibilitetin e tyre personal. Nuk lëvizim asnjë milimetër nga kjo. Nuk ka hapa mbrapa sepse prapa nesh qëndron gjithçka që kemi, familja jonë, dinjiteti jonë, emri jonë dhe Maqedonia jonë. Derisa nuk do ndodhte kjo tradhti që e mundësuan ata sot do të ruanim dinjitetin”, u shpreh Hristijan Mickoski.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski iu përgjigj Mickoskit mbi vendimin e deputetëve të tij për deklaratat noteriale.
Kovaçevski tha se në kohën e Gruevskit OBRM-PDUKM-ja nënshkruante letra kambiale me vlerë 300.000 euro, ndërsa në kohën e Mickoskit notarizon deklarata.
Ai gjithashtu kërkoi nga Mickoski të tregon pse i pengojnë bullgarët të përfshihen në Kushtetutë.
“E shohim se ajo parti politike nuk ka ndryshuar asnjë milimetër nga koha e kryetarit të mëparshëm. Aso kohe deputetët e tyre kanë nënshkruar kambiale, ndërsa tani nënshkruajnë deklarata të notarizuara. Deputetët sipas Kushtetutës janë të pavarur në vendimet e tyre në Kuvend. Ata nuk përfaqësojnë parti politike ose kryetar të partisë i cili i kërkon deklarata nga noterët dhe i keqtrajton nëpër konferenca për media, por përfaqësojnë qytetarët ”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se sot dështuan forcat regresive dhe agjendat e huaja, duke ironizuar me Mickoskin të cilin e cilësoi si Zelenski nga Aliekspresi.
“Maqedonia e veriut nuk është Ukrainë dhe Evropa nuk është Rusi për të dal në protesta udhëheqësi i opozitës me bluzë të gjelbër si një ëannabe Zelenski nga AliEkspresi. Dhe ashtu siç edhe pritej, forcat regresive në shërbim të agjendave të huaja dështuan dhe qytetarët nuk i përkrahën. Urime qytetarë, urime vendit. Kthim prapa S’KA!”, Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka deklaruar se deputetët e partisë së tij ishin vendimtar për miratimin e konkluzioneve.
“Sot deputetët e Aleancës për Shqiptarët ishin vendimtarë në sigurimin e kuorumit të nevojshëm për miratimin e konkluzave për propozimin francez, që hap dyert e BE-së të cilat ishin të mbyllura për tre dekada. Ashtu si në vitin 2017 kur mundësuam anëtarësimin në NATO edhe sot, dëshmuan se pushteti nuk na josh”, Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.
Vendimin e kuvendit e përshëndetën e kreu i partisë Alternativa, Afrim Gashi dhe deputetët e pavarur Skender Rexhepi dhe Kastriot Rexhepi.