Manastir të Maqedonisë, Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, ka organizuar homazhe në kuadër të Programit Përkujtimor për 81-vjetorin e Holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë. Ajo vendosi lule para përmendores së hebrenjve të dëbuar nga Manastiri dhe ishte pjesë e “Procesionit të të Gjallëve” në të cilin morën pjesë anëtarë të komunitetit hebre dhe mysafirë nga Izraeli. Rrugën e fundit të 3500 hebrenjve të Manastirit, viktima të Holokaustit, ata e përshkuan nga Qendra Shëndetësore “Dr. Haim Abravanel” deri në Stacionin Hekurudhor, nga ku u deportuan në kampet e vdekjes.
Ministrja Kostadinovska Stojçevska shprehu në profilin e saj në Facebook obligimin moral për të luftuar për bashkëjetesën dhe përparimin, duke përmbushur kështu detyrën tonë ndaj kujtimit të viktimave të Luftës së Dytë Botërore. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e përmbushjes së parimeve dhe qëllimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut për të parandaluar format e reja të gjenocidit dhe fashizmit, duke konfirmuar nevojën për një botë të përbashkët.
Ministrja e Kulturës shprehu bindjen se Manastiri do të kujtojë gjithmonë këtë tragjedi dhe se është detyra jonë të përqendrohemi në parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Pjesëmarrësit e homazheve, përfshirë edhe një delegacion nga Izraeli, vendosën lule dhe gurë sipas zakoneve hebraike për të nderuar hebrenjtë e Manastirit dhe për të kujtuar ngjarjet tragjike të Holokaustit.
Aktivitetet për përkujtimin e 81-vjetorit të Holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë do të vazhdojnë në ditët në vijim në Shkup. Ata përfshijnë nderime para Monumentit të 7144 hebrenjve të dëbuar nga Maqedonia në Monopole të Shkupit dhe një Mbrëmje Përkujtimore në Qendrën Përkujtimore të Holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë.