Kosta Petrov është emëruar si drejtor i Fondit për inovacion dhe zhvillim teknologjik (FIZhT) në Maqedoninë e Veriut. Ai është një ndër autorët më të lexuar në Maqedoni dhe njëkohësisht është udhëheqës i kompanisë P World, kompani kreative që organizon trajnime dhe seminare në mbi 30 shtete të botës. Kosta Petrov prej para një viti është nënkryetar i LSDM-së që udhëhiqet nga Zoran Zaev, gjithashtu edhe kryeministër i vendit. Kosta Petrov në intervistë për Telegrafi Maqedoni flet për planet në FIZhT dhe për idenë “digital nomads”. Ai gjithashtu thotë se gjuha shqipe do të jetë gjuhë e komunikimit e këtij fondi, në të ardhmen e afërt.
Si ka punuar FIZhT (Fondi për inovacion dhe zhvillim teknologjik) deri tani dhe çka do kishit ndryshuar?
Me të vërtetë jam krenar që futem në një institucion që për pak kohë ka korrur suksese të shumta. Për shembull, në vitet e kaluara FIZhT ka bashkë-financuar 546 projekte, ka bërë 75 milionë euro investim, 90 projekte të mbështetura për shkollat dhe ka mbështetur 500 nxënës dhe mentorë.
Fondi sot seriozisht investon në zhvillimin e inovacionit në kompanitë vendore, që krijon vende të reja pune, nxit shpirtin e ndërarrësisë e kjo ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit.
Cilat janë planet tua për punë në FIZhT?
Inovacioni dhe zhvillimi i teknologjisë e kanë të patjetërsueshme që të marrin rolin qendror në ekonominë tonë.
Plani im për FIZhT dhe për Maqedoninë është i thjeshtë.
Fondin për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik e shoh si një faktor të rëndësishëm për krijimin e një brendi global në vend. Një agjension që do të mbështes kompani dhe start-appe që do të kenë potencial për të krijuar lidhje e që do të ndihmojnë kompanitë për të krijuar dhe plasuar produktet nëpër kanalet e distribuimit. Fondi do të punojë me ndërmarrës dhe themelues të kompanive që janë dëshmuar në sferën e komercializmit, duke bashkëpunuar me ekspertë të financave, ndërmarrës dhe profesionistë të shoqërisë akademike.
Vizioni im është që të pozicionojmë Maqedoninë si një qendër rajonale për start-appe e këtë do ta bëjmë së bashku me partneritet me akademikët dhe profesionistët e dëshmuar në këtë drejtim.
“Digital nomads” është një gjë që shumë e keni përmendur. Si e mendoni këtë iniciativë?
“Viza online për nomadët” është projekt që e kemi punuar për disa muaj. Bëhet fjalë për projekt që do të ju mundësojë ndërmarrësve të njohur si “Digital nomad” të jetojnë në Maqedoni pa probleme burokratike. Kjo iniciativë deri tani është duke u zbatuar në Gjorgji, Barbados ndërsa para një muaji ka filluar të zbatohet edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Duke e njohur vendin tonë, duke pasur parasysh afërsinë me gjithë vendet evropiane, duke i pasur parasysh çmimet e lira për jetesë, është e kuptueshme se kjo do të tërheqë interesimin e “Digital nomad”. Kjo iniciativë është vetëm një hap i vogël deri në realizimin e qëllimit tonë për tu pozicionuar vendin tonë në qendër për startappe në rajon.
Pse FIZhT nuk flet shqip, dhe a planifikoni që në të ardhmen të komunikoni edhe në shqip?
FIZhT është e hapur për të gjithë dhe besoj se në të ardhmen e afërt përmbajtja e FIZhT do të jetë edhe në shqip.
Për momentin punojmë për një strategji gjithëpërfshirëse për komunikim që do të përfshijë përmbajtje edukuese që do të ndihmojë zhvilluesit për tu përballur me sfidat e ekonomisë së sotshme, duke u njohur me trendet e reja. E gjithë kjo do të ndihmojnë të krijohen produkte inovative.
A do të jetë pengesë udhëheqja me FIZhT në ndërmarrësinë tënde dhe në aktivitetin tënd si shkrimtar?
Shkrimi dhe krijimtaria është pjesë e imja. Jam shumë falemnderues ndaj të gjithëve për mbështetjen në suksesin tim për librat. Për momentin jam duke e përfunduar librin tim të pestë, që jam duke e shkruar për tre vite, dhe shpresoj se do ta mbaroj së shpejti.