Telegrafi

Kosovë-Shqipëri nga 1 maji me dogana unike

Nga 1 maji Kosova dhe Shqipëria do të kenë dogana të përbashkëta, ndërsa brenda gjashtë muajve të këtij viti do të ketë edhe heqje të disa tarifave ekonomike të cilat do të mundësojnë lehtësira për shkëmbime tregtare mes dy shteteve shqiptare.

Kjo është bërë e ditur nga zëvendësministrja e Financave dhe drejtoreshë e Doganave të Shqipërisë Irena Beqiraj. Ajo këto deklarata i ka bërë pas një takimi që kishte me drejtorin e Doganave të Kosovës Lulzim Rafunën.

Me këtë do të mundësojnë që bizneset të mos harxhojnë më kohë nëpër terminale dhe kjo është një lehtësi shumë e madhe për sa i përket produkteve ushqimore dhe gjithë bizneseve që merren me tregtimin e produkteve ushqimore, qoftë prodhime shqiptare qoftë prodhime kosovare. “Shpresojmë që me 1 maj të kemi mundësi që të ofrojmë për herë të parë një doganë të përbashkët, të bëjmë një grup pune shumë shpejt që Kosova dhe Shqipëria të kenë një kufi të përbashkët doganor. Ndoshta brenda gjashtë mujorit të parë të kemi mundësi që të heqim disa nga ato tarifa ekonomike të cilat pengojnë ose le të themi bërjen një barrë më shumë bizneset shqiptare dhe kosovare siç janë kostot e terminaleve apo kostot e transportit”, tha Beqiraj.

Sipas saj, janë duke punuar në ngritjen e një grupi pune për procedurat doganore, pasi edhe dogana e Kosovës shumë shpejt do të jetë anëtare e Organizatës Botërore të Doganave. Kjo, sipas saj, është një detyrim i përbashkët për të qenë pjesë e kësaj organizate që të gjitha procedurat e dy vendeve të jenë një. Kjo do të bëhet jo vetëm për të ndihmuar tregtinë por edhe për të përafruar sa më shumë legjislacionet dhe procedurat doganore.

“Kam përshtypjen që kjo do të jetë një histori që do të jetë afatgjate. Nuk besoj që do të hiqet më, sepse zakonisht lehtësirat vijnë për zhvillimin ekonomik dhe besoj që çdo qeveri që do të pasoj qeveritë aktuale do të duhej që të ofroj lehtësira për biznesin… Ne po mendojmë për mundësimin e unifikimit të tarifave doganore, akcizave dhe të shumë proceseve të tjera në mënyrë që biznesi kosovar dhe shqiptar të ndihet në shtëpi në të dy vendet”, tha ajo.

Drejtori i doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se janë duke diskutuar edhe për masat që do t’i ndërmarrin doganat e Kosovës dhe Shqipërisë për implementimin e marrëveshjeve të përbashkëta.

“Ne vendosëm që ti ngrisim grupet e punës për ti konkretizuar veprimet dhe i vendosëm afatet brenda të cilave do të përfundojnë procedurat për implementim siç janë të parapara me marrëveshjet të përbashkëta. Në doganat për më shumë se një muaj tani vetëm është duke funksionuar transiti i përbashkët, ne jemi duke parë mundësinë se ku mundemi ende të shkojmë me thjeshtësimin e procedurave në mënyrë që ta lehtësojmë sa më shumë qarkullimin e mallit dhe atë vizionin tonë ta jetësojmë që kufijtë të mos jenë një pengesë në të bërit biznes “, tha Rafuna.

Ai ka thënë se thjeshtësimi i procedurave doganore ndikon drejtpërsëdrejti tek bizneset. “Thjeshtësimi i procedurave ndikon shumë tek biznesi. Ulja e kohës reflektohet ose kalkulohet në kosto dhe ajo është që biznesi përfiton më së shumti te produktet ushqimore për arsye se ato afatin e përdorimit e kanë shumë të shkurtër dhe ne si doganë kemi marrë obligime të dy administrat doganore që ta ulim në minimumin e mundshëm kohën e pritjes të këtyre produkteve që të doganohen”, tha Rafuna. /Telegrafi/