Telegrafi

Kosovë – Mali i Zi, vlera e dy ekipeve përfaqësuese

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Përfaqësuesja e Kosovës do të përballet me atë të Malit të Zi nesër (e hënë) në kuadër të eliminatoreve për Euro 2020.

Dardanët janë nikoqir të malazezëve në takimin e tetë të vlefshëm për Grupin A, ndeshje që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45.

Ky takim është shumë i rëndësishëm për Përfaqësuesen e Kosovës, pasi me një fitore do të kishte shanse edhe më të mirë për kualifikim.

Lexo po ashtu Situata në grupin e Kosovës, pas fitores së Republikës Çeke ndaj Anglisë

Faqja e specializuar e transferimeve Transfermarkt ka përpiluar vlerat e ekipeve të dy përfaqësueseve, ku Kosova ka vlerë më të madhe.

Përfaqësuesja e Kosovës (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Sipas Transfermarkt, vlera e ekipit të Kosovës është 74.03 milionë euro apo diçka më shumë sesa që e kishte para takimit me Anglinë.

Lojtari më i vlefshëm i Dardanëve është Milot Rashica me 20 milionë euro, Vedat Muriqi me tetë milionë dhe Florent Hadergjonaj dhe Valon Berisha me nga shtatë milionë euro.

Në anën tjetër, ekipi i Malit të Zi vlen rreth 15 milionë euro më pak apo 58.95 milionë euro.

Tek fqinjët, lojtari më i vlefshëm i tyre është Stefan Savic, i cili vlen 35 milionë euro, ndërsa pas tij vjen Adam Marusic me shtatë milionë. /Telegrafi/