Telegrafi

Kosovari plagos gruan kroate në Austri dhe “strehohet” për tre ditë në objektet mësimore

Në qytetin e tretë më të madh në Austri, në Linz, të enjten ka ndodhur një ngjarje që ka ngritur në këmbë policinë dhe autoritetet e tjera në këtë shtet. Një 35-vjeçar e ka sulmuar me thikë bashkëshorten e tij dhe më pas ka ikur duke u bërë i pakapshëm për tre ditë.

Tek të dielën, Policia austriake, sipas ditores Die Presse ka dalë me disa informacione mbi sulmuesin, duke thënë se ai vjen nga Kosova, por nuk ka shtetësi austriake.

Prokurori i rastit, Linz Philipp Christl, ka dhënë informacione edhe për bashkëshorten e tij që është kroate 34-vjeçare, transmeton Insajderi.

Por, ajo që ka ngjallur reagim të madh në mediat austriake është fakti se sulmuesi kur është arratisur, ka ikur me një revole në drejtim të kopshtit dhe shkollës ku gjendeshin fëmijët e tij – vajza trevjeçare dhe djali tetëvjeçarë. Kjo ka bërë që kopshti dhe shkollat të mbylleshin deri të premtën.

35-vjeçari tashmë është arrestuar dhe pritet të merret në pyetje, teksa fëmijët janë dërguar në një shtëpi të sigurt shtetërore. /Insajderi.com/