Ka përfunduar pa incidente të theksuara procesi zgjedhor sot në Kosovë. Qytetarët iu janë drejtuar kutive të votimit në 38 komuna, për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët.
Të gjitha qendrat e votimit u hapën me kohë në orën 07:00 të mëngjesit dhe të njëjtat janë mbyllur në orën 19:00.
KQZ-së, ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje deri në orën 19:00 është 43% apo 770 mijë e 117 votues.
Në këto zgjedhje të drejtë vote kishin 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë.
Numri i qendrave të votimit në tërë Kosovën ka qenë 883 ndërkaq i vendvotimeve ishte 2,477.
Pas pak do të dalin edhe rezultatet e para preliminare të këtyre zgjedhjeve. Telegrafi nga orët e mëngjesit ka raportuar dhe po vazhdon të raportoj në kohë reale për tërë procesin zgjedhor. /Telegrafi/
Gashi i LDK-së: Kemi fituar disa komuna pa balotazh
Udhëheqësi i shtabit zgjedhor të LDK-së, Arben Gashi në konferencën për media ka thënë se si subjekt kanë arritur rezultate impresive.
Gashi tha se 4 deri në 6 komuna i kanë fituar pa balotazh, ndërsa në balotazh janë Prishtina dhe Podujeva. Lajmi i plotë.
KQZ-ja fillon publikimin e rezultateve të para për komuna
Rezultatet mund t’i përcillni në kohë reale, duke klikuar në këtë LINK.
KQZ: Dalja e qytetarëve në zgjedhje është 43%, ka filluar numërimi i fletëvotimeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) , në konferencën e katërt për sot, ka bërë të ditur se ka përfunduar procesi zgjedhor dhe se tashmë të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje deri në orën 19:00 është 43% apo 770 mijë e 117 votues.
EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Podujevën
Bulliqi i LVV-së dhe Hyseni i LDK-së në balotazh, i plotë.
EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Gjakovën
Ardian Gjini e Mimoza Kusari Lila në balotazh, i plotë.
EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Prishtinën
Arben Vitia e Përparim Rama në balotazh, i plotë.
Gjilani shkon në balotazh, EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini
Garë e ngushtë mes Lutfi Hazirit dhe Alban Hysenit, i plotë.
EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Prizrenin
Haskuka e Totaj në balotazh, i plotë.
EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Ferizajn
Agim Aliu i PDK-së fiton pa balotazh, e plotë.
EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Pejën
Gazmend Muhaxheri i LDK-së fiton pa balotazh, e plotë.
EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Mitrovicën
Bedri Hamza fiton pa balotazh, lajmi i plotë.
Çitaku: Nga terreni po marrim informacione pozitive dhe inkurajuese
Derisa kanë mbetur më pak se 2 orë deri në mbyllje të qendrave të votimit, Partia Demokratike e Kosovës(PDK) thotë se nga terreni po marrin informacione pozitive dh inkurajuese për këtë parti.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë ka ftuar qytetarët që të vazhdojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar pasi sot është dita vendimtare për të ardhmen katër vjeçare për komunat e Kosovës.
AAK fton qytetarët të votojnë në këto orë të fundit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë do të mbajë konferencë për media pas mbylljes së të gjitha vendvotimeve, kanë bërë të ditur zyrtarë të kësaj partie të cilët kanë thënë se konferenca do të mbahet në orën 21:00.
Anëtarja e kryesisë së AAK-së, Vasilika Zotaj Asllani ka ftuar qytetarët që ende nuk kanë votuar, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre në kutitë e votimit.
Dyshime për shit-blerje të votës, arrestohen dy persona në Malishevë
Dy persona janë arrestuar sot në Malishevë, nën dyshimet për shit-blerje të votës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar komandanti i policisë për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.
Graishta ka bërë të ditur se të arrestuarit janë një vëzhgues dhe një komisioner.
Përplasje e komisionerëve të partive në qendrën e votimit në fshatin Turjakë të Malishevës
Në qendrën e votimit në fshatin Turjakë të Malishevës, ka ndodhur një përplasje në mes të komisionerëve të Nismës dhe LVV-së.
Menaxheri i qendrës, Agron Zogaj, ka refuzuar të flasë para kamerës për Kallxo.com në lidhje me rastin, pasi sipas tij, nuk është e arsyeshme të flas për këtë rast.
“Rasti ka ndodhe brenda votimit unë s`mundem me dhënë detaje për diçka që ka ndodhe atje. Edhe s’ka qenë rast po një votues kur ka ardh te vendi i votimit e ka marrë me vrull fletën edhe është ndërprerë votimi për 5 minuta edhe se shoh të arsyeshme me fol për këtë para kamerës”, ka deklaruar Zogaj.
Dalje e madhe e qytetarëve në votime në komunat me shumicë serbe, prinë Zveçani dhe Mitrovica e veriut
Dalje masive e qytetarëve në votime është vërejtur sot në komunat me shumicë serbe.
Nga tetë komunat me shumicë serbe, komuna e Zveçanit renditet e para me daljen më të madhe të qytetarëve në votime.
Deri në orën 15:00 në këtë komunë kanë dalë 56,91% e qytetarëve. Pas Zveçanit, e dyta renditet Mitrovica e veriut më 55,03% të pjesëmarrjes së qytetarëve.
KQZ: Procesi po vazhdon pa incidente – 26,9 për qind e qytetarëve kanë votuar deri në orën 15:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se deri në orën 15:00 pjesëmarrja e qytetarëve në votime është 26,95% apo 499 mijë e 828 votues.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se procesi i votimit po vazhdon në të gjitha vendvotimet pa ndonjë incident të theksuar.
Radoniqi ka shtuar se deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet lokale në vitin 2017 kishin votuar 541 mijë e 834 votues apo 28,65%.
Një person ka fotografuar votën në një qendër të votimit në Prizren
Një person ka fotografuar votën në një qendër të votimit në Prizren.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës në Prizren, Shaban Osmanollaj, ngjarja ka ndodhur në shkollën “Mati Logoreci”, më saktësisht në vendvotimin 2009/A.
Revoltohet qytetari me nevoja të veçanta pasi nuk mundi të votojë, e thërret policinë
Një qytetarë me nevoja të veçanta nga Gjilani, ka shkuar sot për të ushtruar të drejtën e tij për votuar, por i njëjti është revoltuar me të arritur në qendrën e votimit.
Ai është revoltuar pasi që e ka pasur të pamundur qasjen në vendvotimin ku atij i është caktuar të votojë.
“Do ta thërras policinë që vend ngjarje të jetë edhe prokuroi i shtetit, se e ka pas me dije atë këtë punë. Shteti e ka pasur për obligim me kriju qasje. Këta sen skan ba, kjo është krim. Kërkoj të arrijë policia dhe prokurori i shtetit”, ka thënë qytetari Ibishi.
Dalja në votime e qytetarëve në shtatë komuna deri në orën 11:00, prin Prishtina me daljen më të lartë
Në tërë komunat e Kosovës është duke vazhduar procesi zgjedhor, ku qytetarët me votën e tyre sot do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave.
Deri në orën 11:00 sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dalja e qytetarëve në votime në tërë territorin e Kosovës ka qenë 8.21%.
Lidhur me këtë nga shtatë komunat e mëdha, dalje më e ultë e qytetarëve në votime deri në orën 11:00 është vërejtur në komunën e Prizrenit, kurse më e larta ka qenë në Prishtinë.