Sot luhet një “vëllazërore” tjetër mes Kosovës dhe Shqipërisë, por kësaj radhe në kuadër të kualifikimeve të Kampionatit Evropian U21.
Kosova dhe Shqipëria ballafaqohen sonte prej orës 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të enjten në mbrëmje, Kosova e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ para përballjes me kuqezinjtë.
Atmosfera në kampin e Dardanëve të rinj është shumë e mirë dhe dueli pritet me optimizëm të madh për sukses.
Përzgjedhësi Rafet Prekazi për këtë ndeshje në vend të Destan Bajselmanit, Alban Ajdinit dhe Donat Rrudhanit ka ftuar Ramiz Bytyqi, Almir Kryeziu dhe Valmir Veliu.
Ndërkohë edhe Shqipëria është e gatshme për këtë takim ku synon fitore.
Kuqezinjtë ende kanë pak gjasa për kualifikim, por i duhen dy fitore dhe duhet të shpresojnë se Austria mos ta fitojë asnjë pikë në dy ndeshjet e fundit në mënyrë që ta sigurojnë plasmanin në Euro2021.
Ndeshja mes Përfaqësueses së Kosovës U21 dhe Kombëtares së Shqipërisë U21 transmetohet në televizionin publik të Kosovës, RTK. /Telegrafi/