Telegrafi

Kosova me tri mungesa të mëdha për lojën me Maqedoninë, njëri futbollist ndëshkohet nga trajneri Challandes

Bernard Challandes ka zbuluar listën me futbollistët e grumbulluar për ndeshjet e muajit tetor.

Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë tri sfida, fillimisht me Maqedoninë e Veriut për ‘Play-Off’ të Ligës së Kombeve.

Më 8 tetor Dardanët luajnë në Shkup ndaj Maqedonisë së Veriut, teksa tri ditë më vonë presin në Prishtinë Kombëtaren e Sllovenisë.

E ndeshja e tretë e këtij muaji do të zhvillohet në udhëtim te Greqia.

Mungesa më e madhe për këto tri sfida padyshim që është ajo e Milot Rashicës.

Ylli kosovar po vuan nga një lëndim dhe ka mbetur jashtë listës, teksa është ende në pritje për të ndërruar skuadër.

Megjithatë nga FFK nuk kanë dhënë asnjë shpjegim pse nuk ndodhet ylli i Werder Bremen në këtë listë.

Mungesa e madhe është edhe ajo e Bernard Berishës, pasi lojtari ishte i ftuar në muajin e kaluar ndaj Greqisë.

Berisha kishte shënuar golin e vetëm në humbjen 1-2 dhe kishte bërë gjeste në drejtim të trajnerit Bernard Challandes.

Zvicerani ka treguar autoritetin e tij dhe e ka ndëshkuar Berishën duke lënë jashtë listës së tri ndeshjeve për muajin tetor.

Mungesë është edhe ajo e kapitenit Samir Ujkani, i cili nuk do të jetë për sfidën ndaj Maqedonisë, por do t’i bashkohet Përfaqësueses për dy sfidat ndaj Sllovenisë dhe Greqisë. /Telegrafi/