Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, e themeluar nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, organizoi një punëtori njëditore me temën: “Avancimi i përfaqësimit dhe rolit të grave në ushtri: Një hap drejt barazisë më të madhe gjinore, paqes dhe sigurisë.”
Ky aktivitet, i organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe në koordinim me Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, u fokusua në promovimin e përfshirjes së grave në struktura ushtarake dhe sektorin e mbrojtjes.
Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se pjesëmarrësit u mirëpritën nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Ministri i Mbrojtjes, Armend Maqedonci, dhe Gjeneral Brigade Nawrat, të cilët theksuan rëndësinë e përfshirjes së grave në proceset e paqes dhe sigurisë.
Pjesa kryesore e ngjarjes ishte paneli diskutues me temën: “Thyerja e barrierave: Rritja e pjesëmarrjes dhe rolit të grave në ushtri,” ku u theksua rrugëtimi i personaliteteve të ndryshme që kanë kontribuar në këtë fushë, si dhe prezantimi i politikave dhe strukturave të institucioneve që kanë mbështetur përfshirjen e grave në ushtri dhe siguri.
Panelistet ndanë historitë e tyre personale dhe diskutuan mbi rëndësinë e avancimit të barazisë gjinore.
Gjatë pjesës së dytë të ditës, u organizuan punë grupe, ku pjesëmarrësit diskutuan mbi rekomandimet dhe veprimet e nevojshme për strategjitë e reja të rekrutimit, mbajtjes dhe ruajtjes së personelit ushtarak, si dhe eliminimin e paragjykimeve dhe stereotipeve ndaj grave.
Në përfundim të punëtorisë, Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë njoftoi se do të përgatisë një raport me rekomandime dhe rezultate të diskutimeve, i cili do të jetë i qasshëm për publikun. /Telegrafi/