Site icon Telegrafi

Kosova ta ndryshojë ecurinë për plotësimin e kritereve të BE-së

Paralajmërimet e Francës për ashpërsimin e kushteve për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, sipas analistëve shihet si fuqizim i shteteve para anëtarësimit.

Ata thonë se në këtë kuadër Kosova është e fundit, ani pse nga këto ndryshime mund të ketë përfitime.

Që nga refuzimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, Franca ka ngritur diskutimin për ndryshim të kushtetove për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha, i tha Radio Kosovës se me këtë, procesi i integrimit duhet të jetë paralel me gjendjen reale të shtetit që pretendon të jetë pjesë e BE-së.

Sidoqoftë, çfarë do që mund të gjykojmë nga pikëpamjet e prezantuara të Francës, është se ajo dëshiron të prezantojë procesin e zgjerimit në atë drejtim që përmes 7 stadeve të ndryshme që duhet të kalojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, ato do të sillen shumë më shumë si vende të BE-së. Pra, nuk dëshirojnë më të ndodhin situata sikurse kanë ndodhur me Bullgarinë dhe Rumaninë ku vetëm pas anëtarësimit në BE, problemet janë dalë në pah, tha ai.

Shasha thotë se Kosova është larg në këtë proces, por edhe nuk është e pamundur, sepse do të jetë shumë përfituese:

Sipas propozimit të Francës, kriteret po ashpërsohen, sepse po kërkohet që të funksionojë njëjtë sikur vendet e BE-së, por në anën tjetër për dallim se si ka funksionuar procesi i zgjerimit deri më sot, nën propozimin e Francës vendeve të BP do i hapet mundësia e financimit shumë më shumë për reforma sesa që është sot.

Pra në njërën anë do t’i kërkohen Kosovës reforma më të thella dhe më të shpejta, por nga ana tjetër do i vihen në dispozicionin fondet shumë më të mëdha sesa ato që kanë qenë deri më sot, shtoi ai.

Pavarësisht se a do të kalojë apo jo kjo iniciativë e Francës, analistët thonë se Kosova duhet të ndryshojë ritmin e plotësimit të kritereve, pasi deri më sot ka ngecur në këtë drejtim.

Exit mobile version