Nga ndeshja në ndeshje djemtë e Kombëtares U17 të Kosovës po përmirësohen.
Pasi e mposhtën Azerbajxhanin 2:0, sot në ballafaqimin e tretë, në kuadër të turneut “2017 Mercedes Benz Agean Cup U-16”, Kombëtarja U17 e mposhti Shqipërinë, me rezultat 2:1, në një ndeshje jashtëzakonisht të mirë me plotë aksione e me shumë raste sidomos në pjesën e parë.
Të dy golat për Kosovën i shënoi sulmuesi i talentuar Veton Tusha.
Me këtë fitore Kosova e ka siguruar pozitën e dytë në Grupin A dhe kësisoj të shtunën do të luajë kundër Rusisë për vendin e tretë.
Ndërkohë pas ndeshjes ka folur edhe përzgjedhësi Besnik Kollari që ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e djelmoshave nga Kosova.
“Ishte një lojë e mirë, ku krijuam shumë raste shënimi sidomos në pjesën e parë, por realizuam vetëm dy herë”.
“Madje kur pritej që takimi të përmbyllet me rezultat 2:0 për Kombëtaren tonë, në sekondat e fundit Shqipëria shënoi të ashtuquajturin gol të nderit. Tash, do të presim se si do të rrjedhin gjërat”, ka deklaruar Kollari. /Telegrafi/