Ndonëse Kosova ende nuk mund të jetë pjesë e festivalit evropian të muzikës, tashmë zyrtarisht, nëpërmjet Innovation Centre Kosovo (ICK) është pjesë e Startup Europe Awards, garë e Komisionit Evropian, e njohur ndryshe edhe si “Eurovizioni i Bizneseve Startup”.
Gara e cila i bënë bashkë të gjitha shtetet e kontinentit të Evropës, nga viti 2018 do të ketë një shtet më shumë – Kosovën.
“Startup Europe Awards” është nismë e Komisionit Evropian & Fondacionit Finnova, me mbështetje të Presidentit të Parlamentit Evropian, Presidentit të Komitetit të Regjioneve dhe anëtarëve të Parlamentit Evropian.
‘Startup Europe Awards’ (SEUA) është garë e bizneseve startup dhe inovative në nivel lokal, regjional, shtetëror dhe evropian që për qëllim ka nxitjen e inovacionit, zgjidhjeve të reja dhe bashkëpunimin ndërmjet akterëve kryesor brenda ekosistemit evropian të ndërmarrësisë.
Përveç kësaj SEUA synon rrjetëzimin e bizneseve, promovimin e tyre dhe identifikimin e nevojave urgjente për financim. SEUA mbledhë rreth vetes organizatorët, inkubatorët & akseleratorët e biznesit, universitetet, fondacionet, investitorët engjëj, për një të ardhme më të mirë për bizneset startup dhe zhvillimit ekonomik të Evropës në përgjithësi.
Gara prestigjioze që nga viti 2018 në Kosovë organizohet nga Innovation Centre Kosovo (ICK) do të jetë e ndarë në kategori të ndryshme si: Industri Kreative, Energji, Fintech, Green, e-Health, Internet of Things, Smart Cities, Siguri Kibernetike, EdTech, AgriTech, Modë dhe ndryshime klimatike. Fituesi i garës shtetërore, do të përfaqësojë vendin tonë në nivel të kontinentit.
Detajet rreth organizimit të edicionit 2018 në Kosovë, do të bëhen publike nga ana e organizatorit, gjatë muajve në vazhdim. /Telegrafi/