Site icon Telegrafi

Kosova pjesëmarrëse në Ekspozitën e Turizmit në Tel Aviv, shtohen gjasat për më shumë turistë izraelitë në vendin tonë

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit.

Shtandin e bizneseve të Kosovës e ka vizituar edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Jerusalem Ines Demiri.

“Ky panair është një ngjarje globale e rrjeteve dhe industrisë e krijuar për të bashkuar në një vend profesionistë nga të gjitha nivelet e biznesit dhe shërbimeve në turizëm dhe udhëtime, duke u ofruar mundësinë për të ekspozuar në “Expo Centre” Tel Aviv”, ka shkruar Demiri.

Ky panair shërben si mundësi për takime dhe seminare shtesë për pjesëmarrësit.

Nol Krasniqi, nga shoqata “Balkan Natural Adventure”, ka mirëpritur këtë ngjarje, duke shpresuar se një panair i tillë e rritë gjasën që në Kosovë të vijnë më shumë turistë nga Izraeli.

“Kompania jonë ka rreth 20 për qind klientë nga Izraeli dhe kjo pjesëmarrje do ta rrisë numrin e vizitorëve në Kosovë. Izraeli është një vend me standard shumë të lartë dhe njerëz që udhëtojnë shumë, e kjo është potencial për ne”, ka deklaruar Krasniqi.

Projekti PPSE, përmes sektorit të turizmit dhe në bashkëpunim me Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (Kosovo Investment and Enterprise Support Agency – KIESA) organizuan pjesëmarrjen e disa bizneseve dhe operatorëve të turizmit në IMTM 2023.

Pjesëmarrja e Kosovës është veçanërisht e rëndësishme pasi që vendu ynë ka punuar në mënyrë të vazhdueshme për të zhvilluar industrinë e saj të turizmit në vitet e fundit.

Kosova ofron një pasuri të bukurisë natyrore, si dhe trashëgimi të pasur kulturore, kuzhinë të shijshme dhe mikpritje të ngrohtë.

PPSE është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe implementohet nga Swisscontact dhe Instituti Riinvest./Telegrafi/

Exit mobile version