Site icon Telegrafi

Kosova përfshihet në “Indeksin e Lirisë Ekonomike”

????????????????????????????????????

Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e “The Heritage Foundation”, zëvendëspresidentin e “The Heritage Foundation “ Jack Spencer dhe udhëheqësin e Institutit për Ekonomi të Lirë Anthony Kim, me të cilët ka diskutuar për prezantimin e hulumtimit të këtij institucioni “Indeksi i Lirisë Ekonomike”, ku Liria ekonomike e Kosovës është vlerësuar për herë të parë në Indeksin e vitit 2016.

Ministri Hoti e vlerësoj lartë punën e “The Heritage Foundation”, në veçanti për përfshirjen e Kosovës në hulumtim të këtij institucioni “Indeksi i Lirisë Ekonomike”.

“Vlerësimi i Kosovës për herë të parë dhe pozicionimi në vendin e 84 në këtë raport është një e arritur për vendin tonë. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme kur kemi parasysh që këtë herë Kosova sa i përket lirisë ekonomike në këtë publikim është ranguar më mirë se sa disa vende të rajonit dhe BE-së”, tha ministri Avdullah Hoti.

Ai gjithashtu i njoftoi të pranishmit për Strategjinë Zhvillimore të Kosovës, ndryshimin e politikave fiskale, fillimin e prokurimit elektronik si dhe për zhvillimin e sistemit bankar në Kosovë.

Ndërsa, zëvendëspresidenti i “The Heritage Foundation“ Jack Spencer duke falënderuar Ministrin Hoti për gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar me institucionin e tij, sidomos gjatë procesit të hulumtimit të këtij institucioni “Indeksi i Lirisë Ekonomike”, tha se përmes këtij hulumtimi bëhet vlerësimi vjetor i lirisë ekonomike për 186 vende dhe territore në mbarë botën. Liria ekonomike e Kosovës është vlerësuar për herë të parë në Indeksin e vitit 2016. Në renditjen botërore, Kosova në këtë publikim renditet në vendin e 84.

Heritage Foundation është një nga vlerësuesit për Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation – MCC). Në mënyrë specifike, Heritage Foundation në partneritet me “The Wall Street Journal” shqyrton performancën e politikave tregtare të vendeve të botës dhe bën publikimin e hulumtimit vjetor “Indeksi i Lirisë Ekonomike”. Ky hulumtim shërben si bazë për notim nga ana e MCC të indikatorit të “Politikave Tregtare” tek “Liritë Ekonomike” të vendeve të ndryshme. /Telegrafi/

Exit mobile version