Site icon Telegrafi

Kosova nuk u ftua në Samitin e Demokracisë, Hoti e quan propagandë të ulët fajësimin e tij

Foto: Arkiv

Është kryeministri i vetëm kosovar që hyri në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Andaj Avdullah Hoti konsideron se u angazhua fort që ta kthejë besimin amerikan kah Kosova.

Për këtë arsye e quan propagandë të ulët arsyen e kabinetit të kryeministrit aktual, Albin Kurti, se ish-qeveria Hoti është një nga arsyet që nuk erdhi ftesa për pjesëmarrje në Samitin e Demokracisë të cilin e organizon presidenti Joe Biden.

Në një prononcim për Klan Kosova, Hoti thotë se shpreson që raportet me SHBA-të të mos thyhen sikur në qeverinë Kurti 1.

“Mungesa e ftesës për Kosovën besoj se reflekton nivelin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA. Pres që të mos përsëritet situata e njëjtë sikur në muajt e parë të vitit 2020, kur Shtëpia e Bardhë quhej shtëpi e verdhë. Në qeverinë e atëhershme, ishte hera e parë në 30 vite të miqësisë Kosovë-SHBA që u ndërpre komunikimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Shtëpisë së Bardhë”, deklaron Hoti.

Lexo po ashtu Këshilltari i Kurtit reagon pasi Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci në SHBA

Në këtë rrafsh, ish-kryeministri thotë se veprimet e ekzekutivit vetëm se po çojnë në degradim të situatës, gjë që e cilëson të patolerueshme.

“Qasja karshi dialogut ka degraduar nga takimet e nivelit të lartë në Bruksel e Uashington për marrëveshjen finale për njohje reciproke në çështje teknike për heqje të barrikadave. Projekti i MCC-së për rrjetin e gazit po “rishqyrtohet” pas shumë vitesh studime dhe dollarë të harxhuar të mjeteve të MCC-së. Projektet e mëdha infrastrukturore të paraparë në Marrëveshjen e Washingtonit janë lënë anash”, shton ish-kreu i qeverisë.

E kumbara i ujdisë së 4 shtatorit mes Kosovës e Serbisë, Richard Grenell, po e fajëson të parin e Amerikës për përbuzje të këtyre dy shteteve. Ai shkroi në Twitter se Biden po e rikthen lojën politike në rajon, ndryshe nga Donald Trump që nxiste zhvillim ekonomik.

Nga Ballkani Perëndimor, veç Kosovës, ftesë për në Samitin e Demokracisë nuk kanë marrë as Serbia e Bosnja e Hercegovina.

Exit mobile version