Site icon Telegrafi

Kosova niset me filmin “Exil” sivjet drejt nominimeve të ‘Oscars’, regjisori Morina flet për pritshmëritë dhe suksesin e gjertanishëm të filmit

Ashtu si çdo vit tjetër, kategoria për çmimin e filmit artistik më të mirë ndërkombëtar në mbrëmjen më të madhe të ndarjes së çmimeve kinematografike, “Oscars”, është një konkurs i hapur dhe mirëpret projektet kinematografike nga të gjitha shtetet për të shpërblyer me çmim njërin prej tyre.

Kosova ka pasur vetëm një herë rastin që të nominohet në “Oscars” në vitin 2016 me filmin “Shok”, teksa vazhdimisht dërgon propozime për kategorinë internacionale të filmit.

Sivjet, shteti kosovar synon nominimin në këtë kategori me filmin “Exil” të regjisorit Visar Morina, me shpresën për t’u nominuar për çmimin “Filmi më i mirë ndërkombëtar në gjuhë të huaj”.

Posteri i filmit “Exil” me regji të Visar Morinës (Foto: Exil/Facebook)

Regjisori i këtij filmi, në një intervistë për Telegrafin, ka folur për pritshmëritë dhe nderin që i është bërë nga Kinematografia Vendore me përzgjedhjen e filmit “Exil” drejt nominimeve për “Oscars 2021”.

“Më vjen shumë mirë dhe ndjehem shumë i lumtur dhe e kuptoj si një mënyrë nderi që Kosova për herë të dytë po përzgjedh një film timin, andaj gëzohem shumë. Në fakt, çka ndodh me filmin nuk është aspak në dorën time. Zakonisht varet edhe prej buxhetit. Përshembull, filmi “Roma” që ka fituar çmimin para dy viteve, ka investuar rreth 25 milionë euro vetëm në kampanjën e promovimit. Do të thotë më së paku dy herë më shumë kanë investuar në reklamim se sa ka kushtuar vet filmi, kështu që në përgjithësi me gjërat që nuk i kam në dorë, siç kanë thënë të vjetrit ‘është edhe më mirë të mos merrem me to’”, ka thënë Visar Morina për Telegrafin, pasi u pyet për pritshmëritë e nominimit.

Regjisori Visar Morina (Foto: Zimbio)

Filmi “Exil” përqendrohet te personazhi i quajtur Xhafer (rol i luajtur nga Misel Maticevic), një mërgimtar kosovar në Gjermani, i cili e gjen veten subjekt të ngacmimit të pamëshirshëm ksenofobik. Sandra Hüller, ylli i “Toni Erdmann”, luan gruan e tij gjermane, e cila ngadalë distancohet nga ai dhe nga ajo që ajo e percepton si paranojë të tij.

Në vazhdimësinë e bisedës për Telegrafin, Morina, i cili jeton dhe vepron në Gjermani thotë se nuk e pati të vështirë që të frymëzohet për skenarin e filmit, pasi e di mirë ndjenjën e të qenurit i huaj në një vend tjetër – duke qenë se prej vitesh jeton në shtetin gjerman.

“Në fakt, ka pasur shumë gjëra që më kanë çuar deri te ngjarja ose skenari i filmit. Unë jetoj prej një kohe shumë të gjatë në Gjermani, kur një natë për Vit të Ri 2015/16 në Këln, ku mbi 1250 gra në të paktën 12 qytete u sulmuan seksualisht, me 24 prej tyre të dhunuara dhe në shumicën e rasteve nga burra myslimanë me origjinë jo-evropiane. Ka qenë një debat jashtëzakonisht i madh në media ndërkombëtare, ku më pas u krijua siç e pata përshtypjen unë, njëfarë paranoje, po në fakt si çdo i huaj që jeton në Gjermani edhe çka e ka pak a shumë një lloj historie të tillë, edhe pse në film është zgjeruar dhe është bërë shumë më e madhe”, thekson Morina.

Skenë nga filmi “Exil” (Foto: Exil Movie)

Ky film fitoi çmimin kryesor të Festivalit të Filmit në Sarajevë, çmimi ‘Zemra e Sarajevës’ në një ceremoni të organizuar online muaj më parë, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.

Regjisori Morina tregon tutje për sukseset që “Exil” ka arritur të shënojë përgjatë këtij viti.

“Filmi është shfaqur në janar, pastaj në Berlinale, tash pak a shumë është duke u shfaqur thuajse në të gjithë botën. Vetëm vikendin e fundit është shfaqur në: Paris, në New York, në Varshavë, në Stamboll dhe jam i kënaqur që po promovohet në shumë festivale”, thotë Visari për Telegrafin.

Skenë nga filmi “Exil” (Foto: Exil Movie)

Pandemia globale COVID-19 prishi shumë punë edhe në kinematografi. Përveçse ka shtyrë shumë evente të ndarjes së çmimeve, përfshirë edhe “Oscars 2021” – pati një ndikim edhe në promovimin e filmit.

Regjisori i filmit “Exil” tregon për Telegrafin se cilat ishin ndikimet negative të pandemisë, që e penguan filmin të depërtojë edhe më shumë.

“Pandemia ka ndikuar shumë keq, mbasi e patëm premierën e bienales dhe pas saj është ndërprerë çdo send, përfshirë këtu festivalet, posaçërisht festivalet për filma të tillë, të cilët kanë një rëndësi të veçantë. Kështu që për film ka qenë një bllokim shumë i madh. Pastaj kemi pasur termine për shfaqje të filmit në rrjetet gjermane, ku edhe ai u shty. Më erdh mirë se dikur filluan festivalet me u mbajt prapë dhe filloi të ndriçohet sërish rruga e filmit”, thotë Morina për Telegrafin.

Skenë nga filmi “Exil” (Foto: Exil Movie)

Një shtysë e madhe për filmin “Exil” ka qenë fakti që realizimi i tij është një trio i produksioneve: një produksion kosovar, një gjerman dhe tjetri belg.

Visar Morina thotë se ishte e lehtë të punonte me produksione dhe ko-producentë që gjithmonë ka dëshiruar të punojë me ta, e ndërsa ka gjetur mbështetje edhe nga institucionet e Kosovës.

“Filmi në fakt është profuksion gjerman, belg edhe kosovar. Me kompaninë gjermane që e ka punuar filmin jemi në kontakt shumë të gjatë. Në fakt Maren Ade është njëra nga personat që e ka themeluar atë firmë [Komplizen Studio], të cilën e adhuroj jashtë mase si regjisore dhe kur e kam parë filmin e saj të parë, kam pasur qejf të bashkëpunoj me të. Në fakt edhe filmin ‘Babai’ kam dashur ta punoj me atë firmë por në atë kohë nuk u bë. Pas premierë së filmit ‘Babai’ ke e qartë se projektin e radhës do ta bëjmë bashkë, edhe pse në atë kohë nuk e kam pasur as idenë se çfarë po bëj. Sa i përket Kosovës, Kosova kaqenë jashtë mase mbështetëse prej fillimit. Edhe Arben Zharku por edhe Ylli na kanë dhënë shumë përkrahje”, ka përfunduar Visar Morina për Telegrafin.

Pas filmit “Babai” [2015], regjisori Visar Morina niset sërish drejt nominimeve të “Oscars” me filmin “Exil” [2021] (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Mbrëmja e ndarjes së çmimeve “Oscars 2021” do të mbahet më 25 prill të vitit 2021 në Teatrin ‘Dolby’.

Përndryshe, më poshtë gjeni listën me filmat e shteteve të ndryshme që kandidojnë për t’u nominuar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar në gjuhë të huaj”:

Panamaja: Causa Justa (Luis Franco Brantley, Luis Pacheco)
Korea e Jugut: The Man Standing Next (Woo Min-ho)
Algjeria: Héliopolis (Djaâfar Gacem)
Ivory Coast: Night Of The Kings (Philippe Lacôte)
Ekuadori: Emptiness (Paul Venegas)
Bhutan: Lunana: A Yak In The Classroom (Pawo Choyning Dorji)
Singapori: Wet Season (Anthony Chen)
Tajvani: A Sun (Chung Mong-hong)
Bosnja dhe Hercegovina: Quo Vadis, Aida? (Jasmila Zbanic)
Republika Çeke: Charlatan (Agnieszka Holland)
Gjeorgjia: Beginning (Dea Kulumbegashvili)
Kosova: Exile (Visar Morina)
Luksemburgu: River Tales (Julie Schroell)
Polonia: Never Gonna Snow Again (Malgorzata Szumowska)
Rumania: Collective (Alexander Nanau)
Svicra: My Little Sister (Stéphanie Chuat, Véronique Reymond)
Ukraina: Atlantis (Valentyn Vasyanovych). /Telegrafi/

Exit mobile version