Kosova dhe shteti amerikan Iowa kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim në sektorin e bujqësisë.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci njofton në Facebook se janë hedhur hapat e parë drejtë një bashkëpunimi të tillë.
“Sot së bashku me Ann Marie VanderZanden, përfaqësuesen e Programeve Akademike në Universitetin e Shtetëror të Iowas, hodhëm hapin e parë drejtë një bashkëpunimi të mirëfilltë me qëllim avancimin e sektorit të bujqësisë”, shkruan Peci.
Ai shkruan se Iowa është ndër vendet me bujqësinë më të zhvilluar në SHBA dhe botë dhe sipas tij edhe bujqësia e Kosovës do të përfitojë në këtë drejtim.
“Duke pasur parasysh që Iowa jo vetëm në SHBA por edhe në të gjithë botën është një ndër shembujt kryesorë për zhvillimin e bujqësisë, nënshkrimi i këtij memorandumi do të ketë ndikim pozitiv për bujqësinë në Kosovë pasi që përmes projekteve konkrete do të adaptohen qëllimet strategjike duke i kontribuuar zhvillimit të sektorit të bujqësisë dhe jo vetëm. Krahas kësaj, shkëmbimi i eksperiencave me ekspertë të këtij Universiteti do ta lehtësojë avancimin e sektorit përmes praktikave më të mira bujqësore të Iowës”, njofton ai. /Telegrafi/