Kosova, gjegjësisht Federata e Futbollit të Kosovës sot është pranuar në UEFA. Dhe ky vendim, ka bërë që të reagojnë edhe mediat serbe.
E derisa disa prej tyre vetëm kanë komunikuar lajmin, ka të tilla që e kanë vlerësuar edhe si një “skandal”.
Bëhet fjalë për portalin Kurir.rs. i cili në titullin e lajmit ka shkruar: Skandal në Budapest.
Sipas këtij portali, në Kongresin e 40-të të UEFA-s në Budapest, Kosova u bë anëtare e shtëpisë evropiane të futbollit me shkelje të pabesueshme të Statutit të organizatës.
“Kërkesa për pranimin e Kosovës ishte para-ndryshimi i Nenit 5, pika 1 e Statutit të UEFA-s i cili lejon anëtarësimin në këtë organizatë të atyre vendeve që janë njohur nga shumica e komunitetit ndërkombëtar në kontinent. Delegacioni zviceran kërkoi votim të fshehtë për çështjen e ndryshimit të statutit UEFA dhe votimi ishte i fshehtë”, shkruan ky portal.
E gjithashtu sipas Kurir.rs, nuk është sekret se ka pasur presion të madh politik mbi shumë nga delegatët për të vepruar në përputhje me politikat e qeverisë së tyre.
Por, sipas këtij portali nuk kanë votuar të gjithë, vetëm 33, numër ky për 3 i pamjaftueshëm për të ndodhur ndryshimet.
“Megjithatë, insistimi i zyrtarëve të UEFA-së dërgoi në votimin e fshehtë për anëtarësimin e Kosovës në UEFA. Pas kësaj, 28 votuan pro, 24 kundër dhe 2 abstenuan”, përfundon Kurir.rs. /Telegrafi/